Connect with us

Kosova

Kurti takim me emisarin britanik për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, për takimin e gjashtë ndërmjet tyre këtë për këtë vit, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Çështjet të cilat u diskutuan mes Kurtit dhe emisarit britanik ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.

“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka njoftuar se emisari britanik Lord Peach është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimin. Në takime është folur kryesisht për çështjen e implementimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Advertisement