Connect with us

Kronike

“Shko prit Enverin dhe Besin…”, porosia e fundit në SKY e Dumanit për Klevis Kapllanin para se ta vrisnin

Vrasja e Klevis Kapllanit në muajin Shtator 2020 në Rrogozhinë, është kryer në momentin teksa 33-vjeçari po fliste në aplikacionin “SKY” me të kërkuarin e asaj kohe, Nuredin Dumani.

Pikërisht në momentin kur është vrarë, Kapllani po shkonte deri në shtëpi, pasi Dumani e kishte urdhëruar t’i mbante një makinë në banesë, makinë të cilën po e çonin në Sinaballaj të Rrogozhinës, Enver Diva dhe Besian Xhixha. Makina do përdorej për të goditur në atentat Dine Çamin dhe Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.

Por me sa duket, teksa Dumani fliste në “Sky” me mikun e tij Klevis Kapllani për ti mbajtur makinën në oborrin e shtëpisë, nga ana tjetër grupi rival po atë ditë kishte vendosur të vriste Klevis Kapllanin.

Në dëshminë e tij të treguar dy vjet pas kësaj ngjarje të rëndë, Nuredin Dumani ka treguar se:

…gjatë kohës që Klevis Kapllani ishte te lokali i Nel Godinit dhe unë po komunikoja me të nëpërmjet aplikacionit “Sky” ai i shqësuar më dërgoi foton e vëllait të Seit Manhasës, të cilin e kishtë parë disa herë atë ditë të hynte dhe dilte te rrugica pranë lokalit, madje kishte hyre edhe në lokal…”.

Sipas tij prania e vëllait të Seit Manahasës në terenin ku ndodhej dhe Klevis Kapllani, tregon se 33-vjeçari ka qënë në ndjekje e sipër deri në momentin e vrasjes në orët e vona të natës, vetëm 200 metra larg banesës së tij në fshatin Sinaballaj.

Dumani tregon se lajmin për vrasjen e Klevis Kapllanit e ka marë nga Enver Diva dhe Besian Xhixha, të cilët po shkonin në banesën e viktimës për të lënë makinën që do përdorej në atentat ndaj Dine Çamit dhe Bujar Çelës.

Diva dhe Xhixha gjetën të pajetë në makinën “Fiat Punto”, Klevis Kapllanin, i cili ishte personi që kishte fshehur armën “TT” në servisin e Manahasëve, armë kjo me të cilën është vrarë Emiljano Ramazani.

“…shkova aty dhe e pash nga larg që Klevisi ishte vrarë, nuk doja ta besoja se ishte vrarë, sepse në kokën time mendoja se ai ishte personi i fundit që do ta vrisin për të më dëmtuar mua, pasi ai nuk ka qenë i implikuar në ngjarjet që ne kemi marrë pjesë, përveç dërgimit të armës te servisi i Manahasëve”.

Më tej Nuredin Dumani ka treguar para oficerëve të BKH-së dhe prokurorëve të SPAK, se:

”…një ditë para se të vritej Klevis Kapllani, unë bashkë me Enver Divën, Besian Xhixhën dhe Klevis Kapllanin, kemi drekuar buzë plazhit në Vilëbashtovës. Atë ditë i kërkova Klevisit, që të më mbante te shtëpia e tij një makinë për dy ose tre ditë, por nuk i tregova se për çfarë e doja atë makinë. Faktikisht unë e doja pasi bashkë me Erjon Alibej, kishim diskutuar të vrisnim Dine Çamin dhe Bujar Çelën…”.

Ndërsa ditën kur është vrarë Klevisi Dumani ka biseduar nëpërmjet aplikacionit “Sky”, duke i thënë Kapllanit se sonte në darkë do të sjell një makinë. Makinën po e çonin Enver Diva dhe Bes Xhixha, me të cilët ai komunikonte dhe i orientonte vazhdimisht me aplikacionin “Sky”.

“…unë vetë në atë kohë qëndroja në Elbasan në një lagje pranë një parku të madh dhe një shkolle. Qëndroja në katin e 5 të një pallati të markata e fruta perimeve me pakicë. Në këtë godinë kisha një apartament për të cilin pagesa ndaj ndërtuesit ishte paguar nga Erjon Alibej në shumën prej 98.000 Euro, bashkë me dy garazhe të përbashkëta (të pa ndarë me mure). Këtë pagesë unë do ia shlyeja Erjonit në vijim nëpërmjet punëve të përbashkëta që do të kisha me të. S’qaroj se, migjëthëse është kryer pagesa për apartamenti dhe garazhet, ato janë akoma në emër të ndërtuesit i cili e ka emrin Sajmir, mbiemrin nuk ia di…”- ka treguar Nuredin Dumani.

Vetëm pak orë para se të vritej Klevis Kapllani, rreth orës 20:01 ose 21:01 e darkës, Dumani informohet nga Besian Xhixha dhe Enver Diva se ishin diku në afërsi të Kavajës dhe se po sillnin makinën që ishte e vjedhur dhe që e kishin marrë nga Soni Reçi.

Benzi ka patur targa serbe, por Soni Reçi i kërkonte 7000 Euro. Unë nuk kam patur ndonjë marrdhënie me Reçin dhe nuk e bleva makinën. E mora e përdora dhe ia ktheva sërisht, duke mos e përdorur në asnjë ngjarje.

“…unë i shkruajta Klevis Kapllanit të cilin e pyeta se ku ndodhej?

Ai më tha se:”…ishte bashkë me disa persona të tjerë duke pirë dhe lozur domino te lokali i Nel Godinit në Sinaballaj.

I thashë: ”…nisu shko te shtëpia se po vijnë çunat (Besi dhe Enveri) po sjellin makinën.

Ai më tha: Po, direkt….

Disa minuta më pas më tha: Tani jam këtu te kthesa ku futesh te lagjja (rruga afër shtëpisë aty ku është gjetur i vrarë).

Unë i thashë: Ok….

Nga ana tjetër Nuredin Dumani i shkruajti Besit dhe Enverit duke i thënë se:”…Klevisi po ju pret te shtepia…”.

Më tej Dumani ka treguar për oficerët se: ”…i shkruaja më pas Klevisit por nuk më përgjigjej. Pas pak minutash Enveri, më dërgoi mesazh zanorë duke më thënë se:”…Klevisin e kishin gjetur të vrarë në makinën e tij “Fiat Punto…”. Menjëherë pasi mora këtë lajm zbrita poshtë pasi aty kisha një audi A-6 ngjyrë e zezë me portobagazh dhe u nisa në drejtim të vendit ku ishte vrarë Klevisi, pasi isha shumë i shqetësuar. Kur shkova atje, Enveri dhe Besiani, kishin ikur. Shkova aty dhe e pash nga larg që Klevisi ishte vrarë. Nuk doja ta besoja se ishte vrarë, sepse në kokën time mendoja se ai ishte personi i fundit që do ta vrisin për të më dëmtuar mua. Pasi ai nuk ka qenë i implikuar në ngjarjet që ne kemi marrë pjesë, përveç dërgimit të armës te servisi i Manahasëve. Më pas ika deri në Rrogozhinë dhe u ktheva për në Elbasan”.

/Ora News

Kronike

Burri i gjyqtares Saida Dollani u rrah brutalisht, Shullazi e organizoi nga burgu me Martinajn e ish-deputetin

Nga Elton Qyno

Një ndër ngjarjet e rënda që ka zbuluar ky operacion i SPAK është dhe rrahja brutale që i është bërë bashkëshortit të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani.

Kjo gjyqtare vijon të ushtrojë detyrën e saj në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ndërsa burri i saj ka ndërruar jetë.

Ashtu siç ka raportuar Elton Qyno në vitin 2019, edhe në bisedat e SKY të zbardhura nga SPAK, ka rezultuar se organizator i rrahjes brutale dhe më pas vendosjes së pistoletës në gojë të burrit të gjyqtares Saida Dollani, është Emiljano Shullazi.

Policia në atë kohë arrestoi një person, por shumë shpejt ai u lirua dhe më pas çështja për akuzën e “Kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së burrit të Saida Dollanit u pezullua nga prokuroria e Tiranës, për mungesë autori.

Megjithëse në raportimet e para dhe dyshimet krijonin bindjen e forta se gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani, të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit, e 4 personave të tjerë që po zhvillohej në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Sipas dosjes penale të finalizuar tashmë nga SPAK me 50 persona të arrestuar, njerëzit kryesorë që kanë bërë të mundur rrahjen brutale të burrit të Saida Dollanit, janë Emiljano Shullazit, ish-deputeti i PS Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj.

Burri i gjyqtares, Saida Dollani denoncoi se u kërcënua me pistoletë në prill të vitit të kaluar, teksa gruaja ishte pjesë e trupës gjyqësore të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

“…në një moment dola për të pirë një cigare nga një lokal ku isha me një mikun tim. Në atë moment kaloi gruaja ime me një shoqe dhe vajzën e saj, ndërsa pak minuta më pas erdhi një djalë i ri rreth 20-22 vjeç. Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë, më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë dhe mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda…”-është shprehur mes të tjerash burri i gjyqtares.

Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet në Prokurorinë e Tiranës.

Por 10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve.

Sërisht çështja nuk mundi të zbardhej duke shkuar drejt pezullimit të saj.

Procesi i Shullazit ngeci në Apel, ku Shullazi dhe grupi i tij apeluan vendimin e shkallës së pare. Dënimi i tyre në Apel u dha pa prezencën e avokatëve mbrojtës, ndërsa çështja tashmë është në gjykatën e Lartë.

Emiljano Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.

Pjesë e këtij grupi ishin Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja.

Continue Reading

Kronike

Incidenti mes fisit Ndoka dhe Kryemadhit/ Hoxha: Si u bënë aleatë grupi i ish-deputetit me grupin e Martinajt?

Gazetari Artan Hoxha, ka shpjeguar detaje të tjera në lidhje me veprimtarinë kriminale të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, për të cilin SPAK ka lëshuar edhe një urdhër-arrest. Teksa shpjegoi veprimtarinë e tij deri në kandidimin në radhët e PS në vitin 2013, ai rikujtoi se gjatë zgjedhjeve të këtij viti ka pasur një incident në qytetin e Lezhës ku është përfshirë deputetja Monika Kryemadhi dhe pjesëtarë të fisit Ndoka

Hoxha tha në News24 se  në këtë incident “të fortë dhe të dhunshëm” ka qenë edhe vëllai i Arben Ndokës, Aleksandër Ndoka. Duke vijuar më tej ai shtoi se pas vrasjes së Aleksandër Ndokës, i vëllai nisi të kërkonte vrasësit duke menduar se ngjarja ndodhi për motive politike dhe e porositur nga politikanë të rëndësishëm të lidhur me incidentin e vitit 2013. Nga kjo pikë, është nisur një zinxhir ngjarjesh me krijime aleancash dhe përplasjesh mes grupeve të ndryshme kriminale në zona të Shqipërisë, që sot kanë sjellë hetimin e SPAK.

“Arben Ndoka nuk ka qenë thjesht një deputet, ai përfaqësonte një fis apo klan që ishte shumë i fuqishëm në Lezhë. Më parë ai ka qenë emigrant në moshë te re, i dënuar në Itali për trafik prostitucioni. Ka ardhur në Shqipëri është bërë pjesëtar i Gardës, pastaj ka shkuar në drejtorinë e INUK, nga aty është bërë drejtor në bashkinë e Tiranës në kohën e opozitës dhe më pas ka kandiduar për PS.

Në vitin 2013 ka ndodhur një incident në zonën e Lezhës, ku u vra një shtetas në Laç në ditën e zgjedhjeve. Para se të ndodhte kjo, deputetja Monika Kryemadhi ka pasur një incident në Lezhë me pjesëtarë të fisit Ndoka. Aty ka qenë edhe vëllai i Arben Ndokës, Aleksandër Ndoka. Incidenti ka qenë i fortë dhe i dhunshëm.

Më mbrapa Ndoka merr mandatin, PS përmbys situatën në Lezhë. Del ligji për dekriminalizimin dhe Ndoka humb mandatin sepse erdhi dënimi nga Italia. Çfarë ndodh, vëllai i tij ishte përfaqësues i pushtetit vendor dhe vritet në një atentat. Nga ky moment fisi Ndoka ka nisur hulumtimin për të gjetur kush vrau vëllanë dhe mendonin se vrasja u bë për arsye politike dhe mendonin se kjo u porosit nga Tirana nga politikanë të rëndësishëm, të lidhur me incidentin e vitit 2013.

Nga atentati ka nisur një zinxhir ngjarjesh, Ndokat kanë kërkuar vrasësit. Bardhok Pllana ka negociuar me fisin Ndoka dhe ka marrë përsipër që në këtë ngjarje nuk ka pjesëtarë të fisit Rraja nga Nikla. Më pas pjesëtarët e familjes Bami për të larguar dyshimet futën një negociator tjetër. Personi tjetër që nuk ka negociuar në këtë histori, është Mariglen Haka. Ndokat bëhen bashkë me Ervis Martinajn dhe grupin e Shkodrës me Bajrat dhe përdorin lidhjet në Shijak.

Përballë tyre janë grupet e Niklës, grupi i Burrelit, një grup në Kurbin, përfshirë edhe Roan Brahimin. Të gjithë grupet e Fushë Krujës janë përballur me grupet e Martinajt dhe kjo ka krijuar një zinxhir ngjarjesh që ka sjellë këtë mega hetim të SPAK”, tha Hoxha.

Continue Reading

Kronike

“Grupet kriminale janë vënë në alarm”/ Hoxha për mega-operacionin e SPAK: Kush janë grupimet e goditura

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar mega-operacionin e SPAK, që lëshoi 49 urdhër-arreste.

Hoxha theksoi se grupet kriminale në një moment kanë nisur të kuptojnë se kishte operacion dhe janë vënë në alarm. Sipas tij, kjo mund të jetë arsyeja se përse shumë persona që kërkoheshin nga SPAK mund të jenë arratisur.

Artan Hoxha: Operacioni ka qenë i madh, shtrirë në disa vende të Shqipërisë, por janë përfshirë edhe policitë e shteteve europiane. Operacioni ka qenë sfidë për institucionet tona. Janë sekuestruar 4.5 milionë euro. Do të ketë zhvillime të reja për këtë operacion. Janë 4 procedime, që janë bashkuar. Janë katër dosje të mëdha dhe janë mbledhur në një procedim të vetëm. Më 10 maj, SPAK ka dorëzuar kërkesat për 49 urdhër-arreste. Grupet kriminale janë vënë në alarm sepse po kuptonin se po bëhej operacion i madh. Kjo mund të jetë arsyeja e arratisjeve. Arben Ndoka familjen e vet e ka dërguar në Itali, ka qenë edhe në Dubai. Kemi grupin e Shijakut, ku janë Avdylët. Kemi në Durrës Plarent Dervishin, Lulzim Berishën, po aty përmendet edhe rasti i Indrit Dokles dhe një grupi të tij. Kemi Shkozetin, kemi Lezhën, Shkodrën, Niklën, Kurbinin, Fushë Krujën. Për Shkozetin, ky grup është ndër grupet më të rrezikshme në vend. Aty janë gjetur edhe paratë dhe kishte banesa, që kishin edhe kamera. Kemi edhe Sukthin, ku u identifikua edhe grupi i Pojës ose grupi i Troplinëve. RENEA e ka rrethuar zonën 24 orë, është menduar se mund të ketë edhe rezistencë. Grupi i Shkozetit ishte një grup që nuk i përmendej emri, por ndoshta edhe për faktin se nuk i gjendeshin prova. Përplasja mes grupit të Tiranës dhe Shkozetit ka qenë tragjike. Grupi i Shkozetit ka rezultuar i fuqishëm dhe kjo nënkupton se ky grup ishte i fuqishëm. Grupi i Shkozetit është bërë i njohur për shkak të vrasjes së Edison Harizajt dhe ekzekutimit të Edmond Çekiçit dhe më pas nisi përplasja me Ervis Martinajn. Janë grupe që kanë pasur edhe lidhje politike.

Continue Reading

Kronike

Plani për ekzekutimin e Ervis Martinajt/ Durim Bami në aleancë me Leonard Dukën dha Fatmir Hysenin

Detaje të reja kanë dalë në dritë për dy grupet rivale, ai i Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës me aktivitet kriminal në disa zona të vendit

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur disa prej ngjarjeve kriminale në vend, ku grupi kriminal i Leonard Dukës dhe Durim Bamit në bashkëpunim me Fatmir Hysenin organizuan planin për vrasjen e Ervis Martinajt.

Sipas hetimeve, në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka.

Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

Continue Reading

Kronike

Ekzekutime dhe aleanca mafioze/ Vis Martinaj pakt me Arben Ndokën dhe Emiljano Shullazin për të vrarë Durim Bamin

Megaoperacioni i SPAK i zhvilluar përgjatë dy ditëve në 6 qytete, por edhe jashtë vendit ka çuar në çmontimin e 7 grupeve kriminale.

Janë 50 urdhërarreste për personazhe të krimit të organizuar, por mes tyre ka edhe figura që dikur i përkisnin jetës politike.

Njoftimi i SPAK i shpërndarë për mediat është një histori më vete që tregon skenarët dhe aleancat mes grupeve kriminale për të goditur rivalët.

Kështu, grupi i Ervis Martinajt kishte lidhur aleancë me grupin e Arben Ndokës (ish-deputet i PS). Ish-bosi i lojërave të fatit kërkonte të vriste Fatmir Hysenin nga Vlora pasi ky i fundit akuzohej për atentatin që i mori jetën Santiago Malkos në ish-Kinostudio i cili konsiderohej si krahu i djathtë i Martinajt.

 

 

Grupit të Ervis Martinajt i janë bashkuar edhe njerëzit e Emiljano Shullazit edhe pse ky i fundit ndodhet prapa hekurave i dënuar me 15 vjet burg. Mirëpo, ish-bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj që rezulton i zhdukur prej datës 8 gusht 2022 nuk ndalejk me kaq. Ai ka kërkuar bashkëpunimin e grupeve të tjera për të eliminuar Durim Bamin, një tjetër person me të shkuar të errët dhe i dyshuar për disa ngjarje kriminale.

Ervis Martinajt për të realizuar qëllimet e tij i është bashkuar edhe Aldo Avdylaj, vëllai i Astrit e Altin Avdylaj.

Në kundërpërgjigje, Durim Bami kishte marrëveshje me vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Grupit të tij i bashkohet edhe Fatmir Hyseni i vënë në shënjestër nga Martinaj për vrasjen e Santiago Malkos, krahu i tij i djathtë, ish-polic.

Nga ana tjetër, Edison Reçi, nipi i Kastriot Reçit, kishte urdhëruar ekzekutimin e shtetasit Preng Gjini.

Gjithashtu, SPAK njofton se është zbardhur vrasja e Shkëlzen Kastratit, 41 vjeç, në Fier, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt 2021. SPAK thotë se ka identifikuar vrasësit e 41-vjeçarit.

SPAK jep detajet e plota të këtij megaoperacioni

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të 4 procedimeve penale (Nr.59, të vitit 2022, i cili është bashkuar me procedimet penale Nr. 66, të vitit 2022, Nr. 33, të vitit 2024, dhe Nr. 50, të vitit 2024), ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.

Në kuadër të procedimeve penale të mësipërme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke ka shtrirë hetimet edhe në këto shtete për anëtarët e dyshuar të këtyre grupeve kriminale të përfshirë në vepra penale të kryera në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Bashkimin Evropian.

Operacioni i Drejtuar nga SPAK dhe i dakortësuar me Europol më datë 17 maj 2024, zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion. U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.

Sekuestrohen 4.5 mln euro

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro, ku përfshihen:

996,760 Euro cash;

Sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta;

Ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro;

Armë zjarri;

Targa të përshtatura automjetesh;

Automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro);

Sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.

Janë lëshuar 50 urdhërarreste, 6 prangosen jashtë Shqipërisë – “kokat” e krimit në Dubai

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.49, datë 15.05.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg”, për 50 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit A.N, A.T, I.N, S.N, V.T, E.M, J.K, A.A(alias A.B, alias A.S), A.A( alias E.A), M.B, N.S, E.SH, B.A, E.N, O.Z, E.J, A.N, K.N, E.R, B.XH, E.D, R.L, F.T, K.SH, H.M, GJ.C, K.T, D.M, V.I, S.B, M.H, T.XH, E.M, A.Z, F.K, A.GJ, D.B, A.P, D.B, E.D, XH.RR, A.M, G.B, L.D, E.D, F.H, D.B, A.G, F.B dhe E.Z.

Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologë të tyre është bërë e mundur arrestimi i shtetasve shqiptarë në Itali (2 persona), Gjermani (1 person) dhe Spanjë (1) dhe Belgjikë (2).

Marrëveshje mes grupeve kriminale për të eliminuar kundërshtarët

Gjatë hetimeve intensive të kryera është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim të shtetasit SH.K (Shkëlzen Kastrati), ngjarje e ndodhur më datë 01.02.2021 në qytetin e Fierit;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje, të mbetur në tentativë, të shtetasit P.GJ (Preng Gjini). dhe të shkatërrimit të pronës me eksploziv, e ndodhur më datë 15.09.2020, në qytetin e Tiranës;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim, të mbetur në tentativë, të shtetasit D.B (Durim Bami), e ndodhur më datë 04.11.2020, në zonën e Krujës;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit E.M (Ervis Martinaj), e ndodhur më datë 04.07.2020, në qytetin e Burrelit;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit H.T. dhe shkatërrimit të pronës, e ndodhur më datë 18.05.2020, në fshatin Zenisht të Matit.

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit D.B, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit P.GJ, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.G, L.D dhe A.G, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve F.H dhe A.H., gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit E.M, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit A.N, gjatë vitit 2021;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.M dhe T.XH., gjatë vitit 2021;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast shitje bimësh narkotike canabis sativa, dhe trafikimi të lëndëve narkotike, në një vend kufitar me Republikën e Shqipërisë gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast dhënie ndihmë për kalim të pa ligjshëm të kufijve, në vitin 2020;

Identifikimi i autorëve të dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në Republikën e Shqipërisë;

Identifikimi i autorëve të disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, gjatë viteve 2019-2020;

Identifikimi i autorëve të mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve, për disa raste kriminale, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorëve të një rasti të organizimit ose ushtrimit të veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin, gjatë vitit 2020;

Identifikimi i autorit të një rasti të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike;

Identifikimi i autorit të një rasti të shpërdorimit të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike;

Identifikimi i autorëve të një rasti të goditjes ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore;

Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale.

Cilësojmë se, këto grupe kriminale dyshohet se kanë kryer veprat penale me pasoja të rënda të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë. Disa nga veprat penale më serioze për të cilat këto grupe po hetohen janë: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kultivimi i bimëve narkotikeve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, , “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurim i kushteve për kryerjen e vrasjes”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”etj.

Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.

Ervis Martinaj aleancë me Arben Ndokën për të vrarë Durim Bamin

Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara nga Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinajn dhe Arben Ndokën, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bamit etj. Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Po kështu Emiljano Shullazi, siguron informacione për lëvizjet e Durim Bamit. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka.

Durim Bami aleancë me Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin, rivalët e Ervis Martinajt

Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt dhe Arben Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

Krijohet edhe një grup i ri kriminal nga Edison Reçi, porositi vrasjen e Preng Gjinit. I përfshirë shefi i policisë

Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi (nipi i Kastriot Reçit i ekzekutuar me snajper në qendër të Rrëshenit). Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit Preng Gjini, ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. Edison Reçi, ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit Endrit Dokle, B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit Preng Gjini.

Shtetasi Klodian Shahini me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin Endrit Reçi, duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit Preng Gjini.

SPAK: Ish-deputeti dhe 4 punonjës të policisë, 2 prej tyre të RENEA-s, pjesë e grupeve kriminale që porosisnin vrasje

Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.

Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:

– Ish Deputeti me Arben Ndoka;

– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me iniciale H.M.;

– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, Klodian Shahini;

– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, Altin Morina dhe A.P.

Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi H.M., me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.

Po ashtu i hetuari H.M., në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.

Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi Durim Bami, në bashkëpunim me shtetasin Altin Morina (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, falenderon në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, dhe agjencive ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING