Connect with us

OPINION

Vokshi: Dy vjet më parë u “ngujuam” në selinë e PD sepse donte ta zaptonte Berisha

Nga Indrit Vokshi
Sot 8 janar (Rrëfim).
Dy vjet më parë u “ngujuam” në selinë e PD sepse donte ta zaptonte Sali Berisha.
Me ofiçinën e demokracisë me vete; leva, koka dashi, shina treni, çekiç e sqepar, ai bëri atë që ka bërë gjithmonë, luftë kundër godinave.
Aty rreth tij në oborr, krah me militantët, ishin edhe tradhëtarët me të mëdhenj të PD-së, njerëz të cilët kanë shitur votat, kanë shitur te PS e LSI mandatet për komuna e bashki, njerëz të cilët lekët që u janë dhënë për fushatë i kanë çuar në shpi dhe kanë vu prona private. Të gjithë llojet e tradhëtarëve të PD i grupon rreth vetes Sali Berisha.
Si mjeshtër i rrenës dhe i nxitjes së armiqësisë mes njerëzve, Sali Berisha u tha atyre se njerëzit nga brenda selisë iu hodhën gaz.
Në realitet gazin e hodhi policia (gazi me spraj nga brenda më shumë na dëmtoi ne). Policia na hodhi gaz edhe ne, edhe atyre jashtë. Ne u asfiksuam më keq se ata sepse nuk kishim ku ajroseshim. Nja dy djemve të rinj u ra si të fikët nga gazi.
Thonë pse u blindua selia? Blindimi i selisë ishte gjëja e duhur pasi ai donte ta zaptonte me përplasje. Donte një viktimë prej përplasjes e pastaj ta shëtiste arkivolin nja 3-4 ditë nëpër Tiranë, duke klithur se regjimi i drogës vrau përmbaruesin e votës së lirë. U shmang viktima. Por Lul Basha është aq qyqe, sa as kaq gjë nuk di të sqarojë në popull.
Po pse të ndodhte përplasja? Pse të mos lejoheshin të hynin? Sepse “shtëpia e demokratëve, hymë kur të duam…!” – thonin disa.
Gënjeshtër, super gënjeshtër. Ata nuk donin të hynin si demokratë, donin të poshtëronin e të nxirrnin me dhunë prej zyrave kreun e PD, deputetët, anëtarët e Këshillit e Kryesisë. Ja ku e kanë selinë, as shkojnë me hy, as kanë hy para 8 janarit. Donin dhunë për Sali Berishën. Asgjë më shumë.
Nuk jam me Bashën, as e mbështes, mirëpo e vërteta duhet thënë: Bëri mirë që nuk iku e nuk braktisi selinë. Nuk braktiset selia jote se të grumbullon Sali Berisha një turmë në oborr. Idhujtarët e atij, thonin se ku shkel Berisha i kap me shpulla e dru dhe njerëzit përulen para tij. Pati nja 200 demokratë të cilët atë ditë nuk iu përulën atij.
E nga inati shpifte duke thënë janë shoqatë 20 veta, janë radikalë islamikë, janë tradhëtarë e lloj-lloj shpifjesh. Dmth tradhëtarë me që nuk kishim tradhëtuar askënd e heronj oficerët e tij të cilët kanë tradhëtuar PD njëmijë herë.
Ata që nuk u përulën, nuk qëndruan për Bashën. Ketë nuk kuptoi e ska për ta kuptuar ndonjëherë Basha (nuk i leverdis ta kuptojë). Qëndruan për veten e tyre. Personalisht nuk e pata ndërmend të hyj në seli se nuk isha në Tiranë. Tu mendu e tu mendu, thashë nuk abstenohet në ditë të vështira.
Do kishte qenë turp e poshtërim me ia lshu Sali Berishës seline veç pse vjen e ta merr me banditizëm. Është njëlloj si me ta marr tjetri oborrin, shpinë, makinën, me banditizëm e, ti me hesht. Mund të ndodhë gjithçka, mund edhe të plagosesh e vritesh por ske pse ia lëshon të drejtën tënde dikujt i cili synon ta marrë me dhunë bandite. E mori selinë dy muaj më pas me vendim gjykate (duke pranuar edhe vetë se me 8 janar kreu banditizëm).
Pse ndërhyni policia? Me ligj shteti policia duhet të kishte ndërhy 10 minutat e para. Por Edi Rama ia dha 1 orë kohë Sali Berishës për të arritur objektivat.
Sot kanë kaluar 2 vjet. Ka rënë emocioni, është dobësuar nervi, ka ngadhënjyer indiferenca. Janë rikonfiguruar interesat e pozicionet. Berisha ka kultin e vet të adhuruesve. Basha ka zaptuar pjesën e vet “në rregull me letra” duke dashur të jetë një Berishë i vockël. Po shumë i vockël e gallatë.
Qindra e mijëra demokratë e opozitarë janë të paangazhuar, pa pikë referimi politik.
Sepse sduan të bashkohen as me kultin personal të Sali Berishës i cili i do si prazmore e për t’i keqtrajtuar në mbrojtje të vetes nga drejtësia. Por nuk duan të bashkohen as me biznesmenin Lulzim Basha i cili i do njerëzit veç si aksione për të negociuar bizneset e veta. Nuk duan me një politikan si Basha të cilit sa herë t’i jepet mundësia, do të betohet se sdo të sillet si në të shkuarën por, përsëri, sapo të ketë pak takat, politikën do ta shohë si shit-blerje dhe mjet veç për pasurim vetjak. Bli e shit. Refuzon me qenë burrë shqiptar.
Këta e kanë shkatërruar Partinë Demokratike për 7 breza në vazhdim. Do kalojnë vite e vite e ndoshta, ndonjëherë, ajo parti edhe mund të ri-bëhet. Kjo është një pjesë nga tragjedi-komedia jonë që u patëm angazhuar me atë parti. Tmerr dmth. Si thotë shprehja e Gjilasit për Stalinin: “Besnikëria jonë ndaj partisë, është dobësia jonë përballë partisë”. Për partitë si PD, kjo shprehje shkon taman.
Advertisement