Politike
Parlament, paralajmërohet kaos, Berisha i sheh nga ballkoni
Sesioni i ri parlamentar nis këtë pasdite në orën 17:00, kur do të mbahet dhe seanca e parë plenare për këtë vit të ri.
Deputetët i kthehen punimeve të Kuvendit të Shqipërisë me një rregullore të re me përjashtim deri në 60 ditë, por pavarësisht kësaj grupi i Gazment Bardhit dhe deputetët e Berishës do të vijojnë me strategjinë e përpjekjeve për bllokimin e seancave.
Ish-kryeministri Berisha nuk do të marrë pjesë për shkak se ndodhet në arrest shtëpie për aferën ‘Partizani’.
Seanca do të hapet nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ku pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i dekreteve të presidentit për ndryshimet në kabinetin qeveritar, me shkarkimin e Elva Margaritit, si Ministre e Kulturës dhe Ervin Mete, si Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe emërimin e këtij të fundit si Ministër i Financave dhe Blendi Gonxhja si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Nga mbledhja dyditore e qeverisë në Shëngjin, kryeministri Edi Rama tha hapur se mungesa e 84 votave nuk janë kusht për reformat dhe se socialistët do ta gjejnë një alternativë për të ligjet me shumicë të cilësuar.
Pritet që me largimin e Berishës nga karrigia e kuvendit, Lulzim Basha të kthehet në ulësen e tij teksa ka edhe 3 projektligje të depozituara, dhe roli i tij pritet të zbulohet në këtë sesion të ri parlamentar.
Në 3 muaj aksion në parlament, 29 deputetë të opozitës u përjashtuan. Më i ndëshkuari prej tyre rezulton Gazment Bardhi, ndërsa ndiqet nga Flamur Noka që rrezikon edhe përjashtimin 60 ditor për shkak të seancës së fundit të vitit të shkuar.