Kosova
Amerikania CNBC akuzon Vuçiç / Lufta pa pikë kthese
”Ndërsa Evropa e kthen vëmendjen e saj ndaj luftës së vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, paqja dhe stabiliteti nuk janë aspak të garantuara në një tjetër nga zonat më të paqëndrueshme të konfliktit të rajonit”, – ka thënë një diplomat i lartë i BE-së.
Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, të tensionuara që nga konflikti brutal midis dy vendeve në vitet 1990, mbeten të vështira edhe një vit pas një marrëveshjeje tentative për një rrugë të re drejt normalizimit.
“Stabiliteti është i brishtë. Ne nuk mund ta marrim paqen dhe stabilitetin si të mirëqenë,” – i tha CNBC në Davos muajin e kaluar Miroslav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE për dialogun.
Në shkurt 2023, Serbia dhe Kosova ranë dakord për një rrugë drejt normalizimit, duke shënuar një hap të madh përpara për kundërshtarët e hershëm, fërkimi i të cilëve prej dekadash është përqendruar në mosmarrëveshjet territoriale dhe ndarjet etnike.
Megjithatë, ky përparim u dëmtua më vonë nga një ringjallje e dhunës në Kosovën veriore, duke përfshirë shkëmbim zjarri vdekjeprurës midis një grupi të armatosur rëndë të serbëve etnikë dhe forcave speciale të policisë kosovare në fshatin Banjska.
Sipas Lajçak, marrëveshja e normalizimit e ka çuar situatën përpara “si kurrë më parë”, duke vënë në dukje se fokusi tani është në zbatimin. Masat e normalizimit përfshijnë zhvillimin e “marrëdhënieve normale, të fqinjësisë së mirë” dhe shmangien nga “kërcënimi ose përdorimi i forcës” në mosmarrëveshjet e ardhshme.
“Si BE ashtu edhe SHBA janë shumë të interesuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, edhe pse ato përballen me konflikte të tjera ndërkombëtare që zhvillohen me shpejtësi midis Izraelit dhe Hamasit dhe Rusisë e Ukrainës” – shkruan CNBC.
Sipas mediam amerikane, tani ora po troket. Me zgjedhjet në Parlamentin Evropian këtë verë dhe në SHBA më vonë gjatë vitit, përparimi në bisedimet e normalizimit do të jetë vendimtar përpara se çështja të ngel në klasë.
Serbia është aktualisht në mes bisedimeve të pranimit në Bashkimin Europian, pasi iu dha statusi i kandidatit në vitin 2012, ndërsa Kosova ka statusin e kandidatit potencial, megjithëse të dy vendet kanë nevojë për reforma të mëdha për t’u bashkuar me bllokun.