Connect with us

Kosova

Kurti takon admiralin e NATO-s dhe Lordin britanik/  Siguria e kufirit Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa po qëndron në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet Konferenca e Sigurisë, është duke zhvilluar një mori takimesh.

Njëri prej tyre ishte ai me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch, te cilit I ka shprehur synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Aleancën Veri-Atlantike.

“Diskutuan për situatën e sigurisë në vend, me theks te siguria e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes me KFOR-in. Kryeministri tha se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në synimin e saj për anëtarësim në NATO, duke veçuar faktin që vendi ka rritur buxhetin për mbrojtje në përputhje me kriterin e NATO-s prej 2% të Produktit Bruto” – thuhet në njoftim.

Kurti gjithashtu ka shprehur falënderim ndaj admiralit dhe NATO-s për bashkëpunimin e afërt, kontributin aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke theksuar se autorët e këtij sulmi ende janë të lirë në Serbi.

Kurti gjithashtu eshte takuar edhe me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe situata e sigurisë në rajon, ishin dy prej pikave kryesore të takimit.

Kryeministri  falënderoi Lordin për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.

 

Advertisement