Aktualitet
Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës do zgjasë 19 muaj, shpejtësia do jetë 90 – 140 km/h
Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës parashikohet të zgjatin 19 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës me kompaninë që do të kryejë punimet.
Në tenderin e hapur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për fazën e parë të projektit specifikohet se periudha e parë e punimeve përfshin gërryerjen, prishjen e betonin ekzistues, si dhe ndërtimin e veprave të artit ku përfshihen tombinot apo drenazhimet, ndërkohë që asfaltimi do të nisë në muajin e 11-të të punimeve.
Paralelisht, është specifikuar se pas zgjerimit të autostradës, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e automjeteve do të jetë 90 – 140 km/h.
Tenderi i hapur nga ARRSH përfshin fazën e parë dhe ka një fond limit prej 1.66 mld lekë, ndërkohë që kompanitë e interesuara do të kenë një muaj afat për dorëzimin e ofertave të tyre.
Punimet për zgjerimin fillimisht do të përfshijnë 5 km e parë të autostradës. Paralelisht është hapur dhe tenderi për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, që gjithashtu të çon në Durrës.