Connect with us

Shkrime

Nëse SPAK-ut i rruhet për Ilirin dhe Monikën, ka 11 banjo tek një vilë në Gji të Lalëzit

Nga Ardit Rada

“Nuk më kërcet për SPAK-un”
, tha Ilir Meta! “Nuk më rruhet as për burgun”, e prefeksionoi e shoqja e cila na dha padashje detaje që s’do donim t’i dinim. Përtej shakave, çifti që shprehet se i ka ngrirë marrëdhëniet do të mbetet edhe për disa kohë kryefjalë e aktualitetit politik me shpresën e shumicës që të përfundojnë në kronikën e zezë. Ka një pakicë njerëzish që i duartrokasin kur flasin për brisqet, si ata që mbanin shënimet kur Ilir shqyente krahët me susta. Njësoj si idhujt e Kim Jong-unit në Korenë e Veriut që nxjerrin citate në çdo takim me liderin suprem.

Ilir Meta sot është kapur pas një gruaje 100-vjeçare që e ka pagëzuar si “nënë Selvia”. Është befasuar Ilir Meta se plaka në fjalë merr 57 mijë lekë të vjetra në muaj dhe kjo i ka diktuar edhe programin e partisë. Për ata që s’e dinë, qeveria e Sali Berishës dhe Ilir Metës e katandisën pensionin e ish-kooperativistëve në pikën minimale, por prap as kjo s’është e vërteta e plotë. E vërteta është që pensionet në Shqipëri rriten aq sa rriten, modestisht me 2,3 apo 6 mije lekë të vjetra në vit. Dhe ditën që Ilir Meta ishte zevëndëskryeministër i Sali Berishës dhe ministër i Ekonomisë, nënë Selvia i bie ta ketë patur pensionin nja 23 mijë lekë të vjetra. Unë nuk dua të publikoj shifra e tabela sesi kanë evoluar pensionet e shqiptarëve sepse asgjë s’e justifikon ekonominë e dobët apo të brishtë që kemi, apo skemën e tyre.

Por e vërteta është që nënë Selvia ka dalë në pension në kohën e Ramiz Alisë dhe pensionet apo pagat nga ajo ditë veç janë rritur. S’ka ndodhur ndonjëherë të thotë shteti i cilësdo partie: Këtë vit ju që merrni 100 mijë, do jua bëjmë 57. Ndaj dhe Ilir Meta me gjasë nga viti 2011 e mbrapa ka qenë i urryer nga nënë Selvia kur e kishte pensionin sa gjysma e 57 mijë lekshit, ndërsa ai numëronte lekët me Dritan Priftin dhe vetë u bë ministër pensionesh. Domethënë ministër Ekonomie pas Priftit. E megjithatë, prap duhet vërtetuar nëse është pension pleqërie, pension i parakohshëm apo ndihmë ekonomike ajo e zonjës në fjalë.

Problemi i Ilir Metës është se nuk i njeh pensionistët e zakonshëm dhe të vetmit pensionistë që njeh nga afër është vjehrra e tij milionere. Kapja e tij pas nënë Selvies s’është luftë si e Robin Hudit, por tentativë për të marrë votat e të moshuarve që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit. Siç fliste pro Enver Hoxhës ndërsa qeveriste me Berishën, apo hapnin me forcë derën e Varrezave të Dëshmorëve kur veteranëve ua mbyllte presidenti i tij bashkëqeverisës, Bujar Nishani.

Ilir Meta tha dy ditë më parë se kishte gabuar që s’mori postin e ministrit të Brendshëm dhe zv.Kryeministrit, por rendi pas karrierës për kryetar Kuvendi e President. E vërteta që di shumica është krejt tjetër: Ilir Meta mori të gjitha ministritë ku qarkullonte paraja, në një kohë kur shteti s’kishte dixhitalizim dhe drejtësi të reformuar e informaliteti ishte ende i lartë. Goditja e pandëshueshmërisë që kërkonte Edi Rama, kushtëzohej nga Ilir Meta si pjesë e koalicionit. Gjithashtu kishte ende kapo të “drejtësisë” njerëzit e tij: Adriatik Llallën, Xhezair Zaganjorin etj. Ndërsa LSI përveç ministrive si Infratruktura, Shëndetësia, Drejtësia, Mjedisi etj., mori edhe të gjitha agjencitë si AKBN e naftës dhe minierave apo drejtimin e Hipotekës, OSSH e korrentit etj. Që të kuptoni pse qarkullonte paraja në ministritë që kërkoi Iliri, mjafton të kujtoni se Infrastruktura bën rrugët, urat, HECe etj. Shëndetësia po dihet, nga ilaçet e rimbursueshme tek doktorët e drejtorët e spitaleve. Drejtësia ka burgjet dhe Hipotekën dhe Mjedisi leje shfrytëzimi e ndërtimi. E të tjera, e të tjera! Sqarime këto për ata që rendin pas të “të vobektit” që mendoi për mirën e Atdheut në ato momente.

Kur Saimir Tahiri u largua edhe si pjesë e kushteve të Ilir Metës, ky i fundit s’e kërkoi si post as për vete e as për të tijët ministrin e Brendshëm. Ndërsa karrierën sesi u bë Kryetar Kuvendi e President e dimë po prap shumë mirë sesi e pranoi në limitet e kohës kushtin e Gramoz Ruçit . Sepse askush s’e prek një president në botë, sado honorifik të jetë ai. Ndaj Ilir Meta pasi u pasurua, nuk e kërkoi më pas pushtetin për CV, por si imunitet t’u mbrojtur. Se fundja, çfarë rëndësie ka sot kjo CV që deklaroi te Çimi si ambicie dhe sakrificë te madhe? Për t’u bërë kryetar i Tedi Blushit dhe Silva Cakës? CV të tilla i duhen dikujt që mund të kërkojë kreun e NATO-s, presidentin e PE apo qoftë edhe rektor në ndonjë universitet në vend apo kryetar i Akademisë së Shkencave pasi ka dalë në pension. Por jo! S’i bën punë kurrësesi CV-ja e pasur një deliranti që e nis ditën duke ngjitur një hekur dhe këtë e quan sport. Apo një paraziti që s’i ka thënë kurrë punës ‘Bismilah’, që s’ka dhënë kurrë një leksion në jetë para ndonjë auditori, që të vetmen herë që preku libër me dorë në fakt doli që ishte defter pazaresh dhe për këtë defter vrau edhe 4 ‘kokëpalarë’ e plagosi qindra të tjerë.

Së fundmi, Ilir Meta, Sali Berisha dhe e shoqja që ka vendosur të mos e rruajë kanë hedhur fishekzjarre kur në krye të SPAK u zgjodh Altin Dumani. Pasi kishin kaluar një periudhë mjalti me Arben Krajën, zgjedhjen e Dumanit e quajtën fitore të madhe. Unë mendoj se qoftë edhe në banaqet televizive nuk ka injorantë apo njerëz me sklerozë, por shpirtzinj. Po aq të zinj se Sali Berisha, Ilir Meta dhe ajo tjetra me lesh.

Të gjithë e dinë se zgjedhja e Altin Dumanit u duartrokit si triumf mbi kanditaturën e Edvin Kondillit, që të gjithë thonin se ishte i mbështetur nga Edi Rama. Por askush s’e thotë këtë të vërtetë, sepse sot kanë zgjedhur seksin me mullixhiun.

Me rëndësi është që e kanë kuptuar se si me Obamën, si me Trump e si me Biden, për Amerikën mbeten të shenjëstruarit kryesorë për një lugë çorbë të prishur që mund të kenë gëlltitur dikur (edhe pse në fakt kanë lëpirë edhe fundin e kusisë sa herë kanë mundur).

Ndaj sot që Altin Dumani ka zgjedhur Perëndimin përballë “bllokut të Lalëzit” vijnë edhe shfaqjet e tilla herë qesharake e herë shqetësuese për klimën që kërkojnë të krijojnë këta dashnorë të Belerit e Gruevskit.

Megjithatë, këto më sipër janë disa fjalë që mund t’i rrëmoni edhe në arkivat e internetit për t’i vërtetuar nëse kanë ndodhur kështu. Por tani për qytetarët duhet e vërteta e SPAK-ut: A i rruhet atij për drejtësi kur bie fjala për Monikën dhe Ilirin?

Nëse po, në Lalëz ndodhet një vilë me 11 tualete dhe me propabilitet do të gjejë brisqe se s’bën!

Advertisement