Aktualitet
Arrestohet gjyshja që rrëmbeu nipin/ Dëshmia: Donim ta rrisnim vetë
Gjyshja e 3-vjeçarit që e rrëmbeu disa ditë më parë nga krahët e nënës së tij është arrestuar. Ditën e sotme, ajo vendosi që ta sjell fëmijën e rrëmbyer në policinë e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim. Barie Gjuni është personi i tretë i arrestuar në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa në dëshmi është shprehur se kanë marrë nipin sepse kanë dashur ta rrisin vetë.
‘E kemi vendosur sëbashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë. Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë. Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit. Në Buzmadh kam fjetur një natë. Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë. Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme. Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë, por edhe se një vëlla i imi u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje’, tha gjyshja.
Barie Gjuni, gjyshja e cila rreth 1 javë më parë rrëmbeu nipin dhe u zhduk, ka dorëzuar 3-vjeçarin ditën e sotme në Prokurorinë e Durrësit. I mituri është bashkuar me të emën e tij, e cila ishte ajo që ngriti alarmin për zhdukjen e fëmijës. Ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij Arben Selaj, për rrembimin e 3-vjeçarit nga nëna e tij
Nëna e fëmijës bëri denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën. 58-vjeçari, është ndaluar nga policia por nuk ka treguar se ku ndodhet i mituri, ndërkohë që babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik. Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur.
Mësohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit si dhe frikë se mos nusja e tyre mund të largohej jashtë vendit. Babai i fëmijës Avni Gjuni humbi jetën në shkurt të vitit 2023 në një aksident automobilistik që ndodhi te Kthesa e Kamzës.