Kosova
Lojëra lufte, stërvitja FSK-FA, si përgjigje “diplomatike” ndaj Serbisë
Brenda një harku kohor prej vetëm njëzet ditësh, artileritë u vendosën në dy anët e kundërta të Kosovës. Më 19 prill, në terrenin e përkohshëm ushtarak “Pester”, ushtria serbe gjëmonte me artileri të rëndë dhe avionë luftarakë. Më pak se tre javë më vonë, më 10 maj, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcat e Armatosura Shqiptare (FA) “u përgjigjën” me një stërvitje të përbashkët në bazën e Bizës në Shqipëri, duke përfshirë veprime të kombinuara të zjarrit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nga armët e artilerisë dhe mjete luftarake. Analistët në Tiranë dhe Beograd i thanë Kosovo Online se çdo ushtri në botë duhet të stërvitet. Megjithatë, ata nuk kanë dyshim se secila prej këtyre ushtrimeve ka shërbyer edhe si mesazh diplomatik për palën tjetër.
Stërvitja ushtarake shumëditore e cila përfshinte disa mijëra trupa me rreth 500 sisteme dhe pajisje komplekse luftarake të mbajtura afër Sjenicës, u pa nga Prishtina zyrtare si një provokim i qartë.
“Ata janë duke bërë stërvitje me drone luftarake kamikaze dhe vendndodhja e këtyre ushtrimeve është vetëm 30 kilometra nga kufiri i Kosovës dhe vetëm tre kilometra nga kufiri Serbi-Mali i Zi. Kjo tregon se Serbia është aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese në rajonin e Ballkanit Perëndimor”- tha kryeministri Albin Kurti.
Marko Savkoviç , këshilltar i lartë në Fondin ISAC, shpjegon se stërvitjet ushtarake nuk kanë të bëjnë vetëm me demonstrimin e fuqisë, por edhe me dërgimin e mesazheve të qarta politike. Ai shpjegoi se në aspektin praktik, stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe Serbi nuk mund të krahasohen, sepse ajo në Rrafshnaltën e Pesterit ishte shumë më komplekse, duke përfshirë degë dhe sisteme të shumta armatimi dhe pajisje ushtarake, përfshirë aviacionin. Megjithatë, shtoi ai, të dyja kanë një emërues të fshehtë, të përbashkët – dërgojnë mesazhe jo vetëm për rajonin, por për të gjithë aleatët, partnerët dhe rivalët e mundshëm.
Për analistin Roland Qafoku, këto dy stërvitje ushtarake kanë një ndryshim thelbësor. Ai theksoi se stërvitja e Ushtrisë Serbe në Pester mund të interpretohet si paralajmërim apo provokim, ndërsa stërvitjet e përbashkëta në Shqiperi ishin nën kontrollin e NATO-s dhe pjesë e një procesi normal të përbashkët stërvitor sepse, siç theksoi ai, bëhet fjalë për dy shtete, vetëm një popull.
Duke komentuar stërvitjet ushtarake të Ushtrisë Serbe, dhe ato ne Shqiperi, të zhvilluara në harkun kohor prej njëzet ditësh, Qafoku tha se një “rastësi” e tillë ngre shumë pikëpyetje.
“Një pyetje që ka shumë pikëpyetje. Kjo mund të kuptohet pasi stërvitja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën mund të ishte paralajmërim, madje edhe provokim”- tha Qafoku dhe shtoi se stërvitja në bazën e Bizës nuk përbën rrezik potencial për askënd dhe nuk është zhvilluar në fshehtësi, sepse Shqipëria, si anëtare e NATO-s, është nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga komanda e Aleancës në Bruksel, e cila ka informacion për çdo stërvitje të armatosur në territorin shqiptar.
Nga ana tjeter, analisti ushtarak Aleksandar Radiç, ofron një përgjigje të ndryshme.
Ai pohoi se stërvitja e fundit e përbashkët në Bizë duhet parë ekskluzivisht në kontekstin më të gjerë të projektit agresiv turk neo-osman që depërton në Ballkan. Sipas tij, qasja e Turqisë ndaj shitjeve të armëve disa vite më parë u nxit nga interesa komerciale, por tani është ekskluzivisht politike dhe theksoi se armatosja e Kosovës dhe e rajonit duhet parë edhe në një kontekst më të gjerë ku “rregullat e vjetra të lojës” po kthehen në skenë.
“Të gjithë po armatosen tani. Që kur forcat ruse kaluan kufirin në Ukrainë, bota ka ndryshuar. Shoqëritë po shkojnë drejt militarizimit dhe rregullat e vjetra të lojës po kthehen. Në këtë kontekst, të gjithë në Ballkan, përveç Bosnjës dhe Hercegovina, po blen armë dhe është e natyrshme të punohet për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë” – Deklaroi Radiç dhe shtoi se është një pyetje e rëndësishme se si Serbia duhet t’i ndërtojë marrëdhëniet me Turqinë në një situatë kur Turqia tregon qartë se kë ka favoritë kryesorë në Ballkan.
“Armët që i janë dorëzuar FSK-së dhe Shqipërisë tregojnë se kush ka besimin e Ankarasë zyrtare” – theksoi Radiç.