Connect with us

DOSSIER

Dëshmia e ushtarëve, për vrasjen e vëllait të këngëtares së famshme, në shkurt 1990: Ne e qëlluam dhe ai u rrëzua duke thënë…

Nga Kastriot Dervishi

Fletën e parë të vrasjeve në kufi të vitit 1990, e çel ngjarja e hidhur e ndodhur në Kolonjë, në postën e Rehovës, aq e përfolur për pjesëmarrje në këto krime. Sipas komunikatës nr. 28, datë 3. 2. 1990 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 2. 2. 1990, rreth orës 24.00 njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, “ra në përpjekje” (e pavërtetë në fakt), me 3 shkelës të kufirit nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit, mbeti i vrarë Ilirian Ismail Zari, vjeç 30. I spiunuar nga një fshatar i zonës, në orën 05.00 të datës 3. 2. 1990, u kap Agim Ismail Zari, vëllai i Ilirit. Vazhdonte kërkimi për kapjen e të tretit Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja, banues në Tiranë, martuar me motrën e dy vëllezërve Zari, i cili nuk rezulton i diktuar dhe arrestuar.

Kufoma e Ilirit, u varros në mënyrë të fshehtë në fshatin Mësiçkë, në mes të një pylli. Ajo u zhvarros nga të afërmit më 3. 9. 1991. Në lidhje me këtë ngjarje, kanë dëshmuar edhe ushtarët. Gjuha e tyre që duket në shprehjen; “Ku do të vini o maskarenj”, është tipike e një urrejtjeje të verbër e tejet të indoktrinuar, siç ishin në përgjithësi ushtarët e kufirit të asaj kohe. Një pjesë e dëshmive të tyre, paraqitet më poshtë dhe bashkë me këtë ngjarje, në këtë shkrim po publikojmë edhe dy histori të tjera të vrasjeve në kufi, në vitin 1990.

Te vendi i shërbimit u vendosëm rreth orës 18.30. Rreth orës 24.00, unë pashë 3 vetë, të cilët vinin për të kaluar kufirin në Greqi. Kur ata ishin afruar rreth 50 metra, unë i dhashë sinjal përgjegjësit të njësitit, për kalim kufiri. Astriti i pa ata dhe doli lart, për të bllokuar vijën e kufirit. Kur ai kaloi për të bllokuar vijën e kufirit, unë u ula pak më poshtë.

Në këtë kohë, Astriti bëri ndaljen e tyre. Ai që ishte i pari, tha; “Mos qëlloni se jemi edhe ne të armatosur”, kurse dy të tjerët që ishin pas tij, u larguan pak nga ai, duke u s’postuar anash tij. Në këtë kohë, desh të largohej edhe ai që ishte i pari.

Në këtë moment, neve të dy qëlluam në drejtim të tij. Me qenë se e goditëm, ai u rrëzua dhe tha: “O më vratë”. Sa dëgjuan krismën e automatikëve tanë, ata të dy u larguan me vrap poshtë. Astriti i ndoqi ata. Unë pashë personin që kishim qëlluar, i cili kishte vdekur.

Pasi u sigurova që kishte vdekur, kalova në bllokim të kufirit, të mos kalonin ata të dy. Unë di të them, se ai që vramë ishte i pari dhe dy të tjerët, ishin pas tij, rreth 3 – 4 metra larg njëri – tjetrit. Pas pak erdhi njësiti tjetër për ndihmë”.

Dëshmia e ushtar Astriti, lindur 4. 2. 1969 në Ballsh, me arsim 8 vjeçar:

“Në ora 18.30, vajtëm te vendi i cili ishte në afërsi të vijës së kufirit dhe u vendosëm në vendin e shërbimit. Unë isha përgjegjësi i njësitit. Unë organizova shërbimin sipas rregullores që ma kishte dhënë komandanti i postës. Në ora 24.00 anëtari i njësitit Albani kishte parë 3 persona të cilët po tentonin për të kaluar kufirin.

Ai më sinjalizoi mua sipas sinjaleve që kemi. Unë sapo mora sinjalin nga ai, pashë 3 persona që ishin duke kaluar nga brenda – jashtë shtetit për në Greqi. U ngrita, dola me kujdes nga lart për t’u bllokuar rrugën që to mos kalonin kufirin. Duke kaluar nga sipër, shkava në akull dhe u rrëzova. Kur u rrëzova doli krehri i automatikut.

Menjëherë vendosa krehrin tjetër dhe bëra ndaljen. U thashë: “Ndal mos lëvizni, jeni të rrethuar”. U bëra thirrje shokëve që t’i kapnin. Kur unë u bëra ndaljen, njëri prej tyre që ishte më afër meje tha: “Mos ushtar, se jemi me armë”. Ai desh të largohej poshtë. Unë i thash përsëri: “Mos lëviz se të vrava”. Ai u nis për të ikur poshtë dhe u tha shokëve të tij: “Hë juve, çfarë bëni me armë”.

Në këtë kohë, unë i thashë edhe anëtarit të njësitit Albanit, “zjarr” dhe vetë qëllova në drejtim të tij. Neve e goditëm dhe ai u rrëzua, duke thënë: “O ushtar, më vrave”. Sa u rrëzua ai përtokë, dy të tjerët ikën në drejtim të fshatit Starje. Unë i thashë Albanit; “Dil shpejt nga lart, që të mos kalojë kufirin” dhe në të njëjtën kohë, u thashë atyre; “Ndalni, ku do të vini o maskarenj” dhe i ndoqa duke i qëlluar me automatik me breshëri.

Unë i ndoqa rreth 1 mijë letra poshtë megjithëse ata ikën me vrap dhe unë nuk i shikoja dot. Dua të shtoj se kur i pashë unë, ata të tre ishin njëri pas tjetrit. I pari ishte ai që vramë. Mua mu dukën të gjatë, që të tre. Te vendi që u rrëzua ai që vramë, unë lashë krehrin e prishur me fishkë. Mbasi i ndoqa ata, siç thashë më lart, u ktheva te banditit i vrarë dhe pashë se kishte vdekur”.

Vrasja në kufi e 18-vjeçarit, në vitin 1990 dhe dëshmitë e vrasësve

Sokol Lika, ishte nxënës në shkollën e mesme Gjeologjike të Korçës. Pas një zënke në shkollë, së bashku me shokun e tij Besim Qose, vendosën të arratiseshin në sektorin e postës kufitare të Starjes, në rrethin e Kolonjës. Sokoli kish njerëz në Stamboll, ndërsa Besimi në Australi dhe një mik në Brazil.

Pasi blenë një shishe fërnet, një vazo reçel, dy komposto, bukë dhe qofte, me një makinë që kishte ngarkuar qepës, udhëtojnë në drejtim të Ersekës. Në fshatin Starje, u vra Sokoli më 23 maj 1990, ndërsa Besimi, u arrestua. Pas disa muajsh, Besimi u dënua me 8 muaj burg, në bazë të nenit 127, të Kodit Penal.

Dëshmia e Besim Qoses, shoku i Sokolit:

“Sokoli ishte pranë meje. Unë nuk e pashë kur u afruan ushtarët. Unë ju thashë ushtarëve të mos qëllonin, se isha aty dhe ngrita duart lart. Pastaj mua më ngritën më lart ushtarët. Aty pashë se Sokoli, ishte i shtrirë. Nga ushtarët, dëgjova të thoshin se “njëri qenka vrarë”. Ora duhet të ketë qenë rreth 22 – 23.00”.

Dëshmia e ushtarit Blerim Allhidri, nga Rrajca:

“Isha bashkë me ushtarin Ilirian Luto. U vendosëm sipas rregullores, në vendin e caktuar. Unë zura pozicion dhe i bëra ndaljen shkelësit. Unë ju kam thënë: “Ndal mos lëviz, je i rrethuar, dorëzohu”. Të dy shkelësit u shtrinë përtokë dhe në këtë kohë, unë kam qëlluar me armë. Po kështu edhe shoku im, Ilirjan Lato, qëlloi mbi ta.

Unë dhashë sinjalin e alarmit në postë. Zumë pozicion dhe vazhdonim të qëllonim. Shkelësit na humbën, se ishte errësirë, ra edhe mjegulla. Ne qëndruam në bllokim dhe qëllonim një nga një, deri sa na erdhi ndihma nga posta kufitare, rreth orës 21.00 – 21.30. I pari erdhi, ushtari Kastriot Çela me Altin Broçin. Pas këtyre, erdhën shokët e tjerë. U rrethua vendi ku ishin shkelësit e kufirit. Afroheshim në drejtim të tyre duke qëlluar”.

Dëshmia e ushtarit Ilirjan Lato:

“Nxituam që të zinim vijën e , sepse ishin shumë afër saj, rreth 200 metra. Pasi bllokuam vijën e kufirit, i lamë ata të dy të afroheshin. Kur u afruan rreth 50 metra, Blerimi bërë ndaljen. Ata ndaluan dhe në këtë kohë, unë u thashë të ndalnin, se do i qëlloja. Ata po studionin, për të ikur. Blerimi bëri një qitje në ajër. Ata u shtrinë barkas. Në moment, unë qëllova në drejtim të tyre, me breshëri.

Blerimi kaloi në krahun tjetër e, zuri vend më lart. Ai filloi që qëllonte, që të afrohesha unë. Ata nuk lëviznin, por rrinin shtrirë. Në këtë kohë, ra një mjegull. Ne qëndruam në përgjim, për të parë nga vajtën, se nuk dukeshin nga errësira dhe mjegulla. Blerimi më pyeti mua, nëse dëgjoja gjë se nga vajtën. Unë i thashë se; nuk kanë kaluar. Ai më tha se; nga unë nuk kanë kaluar. Unë i thashë Blerimit, se janë futur në bunker, se ishin ca të tillë afër.

Për t’i frikësuar, unë thirra emra kot, që të dilnin lart e poshtë. Ne, vazhdonim të qëllonim në drejtim të tyre. Në këtë kohë, erdhën shokët nga posta për ndihmë. Edhe shokët qëlluan në drejtim të tyre. Hodhëm shenjëdhënëse, por nuk pamë gjë. Ndaluam zjarrin, nga frika mos vrisnim njëri – tjetrin. Shokët kontrolluan bunkerin, por nuk gjetën gjë. U ngritëm e po bisedonim. Në moment, njëri nga shokët që erdhi për ndihmë, qëlloi me breshëri.

Ne u afruam në formë rrethi. Ndaluam zjarrin e bëmë rrethimin, se mos dëgjohej ndonjë zhurmë. Me elektrik, pamë një gjumë sandaleje, që e kishte drejtimin për në thellësi të tokës tonë, menjëherë u vendosëm nëpër pozicione dhe qëndruam në heshtje. Shkelësit mendonin se neve ikëm dhe filluan të lëviznin. Kastriot Çela, dëgjoi një rrokullisje guri. Ai tha; ecni pas meje, ja ku janë. Erdhi njësiti ynë nga poshtë dhe qëllonte.

Shkelësit qëndruan pa bërë zhurmë, por ne nuk shikonim gjë. Kastrioti i pa, që po rrinin mbështetur te një shkëmb. Ai i thirri një shoku dhe ata lëvizën nga vendi. Limoz , qëlloi në drejtim të tyre dhe vrau njërin nga ato. Ai tjetri thirri: “Mos qëllo xhaxhi ushtari”. Ne ndërpremë zjarrin dhe u afruam te ai që ishte gjallë. Ai nuk lëvizi fare. E kapëm dhe e lidhëm. Ai qante”.

Një letër në xhepin e të vrarit në kufi, në vitin 1990

Sami Daja i vrarë dhe letra me adresën që iu gjet në xhep Më datën 25.5.1990, rreth orës 24.00, rreth 200 metra larg kufirit, në sektorin e postës kufitare Rehovë të rrethit të Kolonjës, i përbërë nga ushtarët Dod Kapsori dhe Xhelal Elezi, vrau Sami Dajën, teknolog në Kombinatin Metalurgjik Elbasan dhe ndaloi shokun e tij, Mezanin, i cili dënohet me 4 vjet burg.

Eksperti mjeko – , përcaktoi se vdekja e Sami Dajës, ishte shkaktuar nga pesë plagë të rënda. Mezani që ishte nga Peqini, kishte udhëtuar drejt atij vendi kufitar, pasi e njihte mirë terrenin, për shkak se kishte kryer ushtrinë andej. Për këtë arsye, ai ka udhëtuar së bashku me djalin e tezes, Sami Dajën, i cili kishte edhe një adresë në Greqi.

Kanë udhëtuar të dy fillimisht me makinë e, më pas me tren, nga Peqini, deri në Gurin e Kuq në Pogradec. Prej andej, kanë marrë autobusin e linjës deri në Ersekë, qytet ku kanë mbërritur rreth orës 17.30. Në restorantin e këtij qyteti, kanë ngrënë darkë. Rreth orës 21.00, kanë blerë edhe një shishe vodkë dhe janë nisur në drejtim të kufirit. Në xhep, Samiut iu gjet adresa ku do të shkonte.

Dëshmia e ushtarit, Dod Pal Kapsori:

“Rreth orës 24.00, në drejtimin tonë për nga vija e kufirit, po afroheshin dy persona, që nuk dalloheshin mirë nga errësira. Ishte një natë pa hënë. Ne kujtuam se po vinin shokët e komandës, për ndihmë e për kontroll, sepse po vinin nga rruga që vijmë ne, në vendimin e shërbimit.

Kur u afruan rreth 15 – 20 metra, ushtar Xh.E., u kërkoi parullën dhe u bëri ndaljen. Ata të dy u kthyen prapa, duke ecur në krahun e anëtarit, pra në krahun e majtë tonin. Ushtar Xh.E., qëlloi në ajër një herë. Kur pa se nuk qëndruan, shtimë të dy në drejtim të tyre, me breshëri. Pamë se njëri u rrëzua përtokë, kurse tjetri iku dhe na u zhduk në errësirë.

Unë hodha paketën shenjëdhënëse, por me gjithë këtë, prapë nuk e pamë. Pastaj ne bllokuam kufirin, bashkë me njësitet e tjera që na erdhën. Kur ne e vramë, u afruam për ta parë se mos ishte gjallë. Ai kishte vdekur dhe xhaketën e kishte hedhur në tokë. Kur ne qëlluam, ai tha: “Mos qëlloni se më vratë”.

Dëshmia e ushtarit, Xhelal Elezi;

“Rreth orës 24.00, ne dalluam se në drejtimin tonë, po vinin dy persona nga poshtë – lart, në drejtim të kufirit me Greqinë. Unë i pashë në horizont, se ishte një natë pa hënë. Kujtova mos ishte kontrolli, se po vinin nga rruga e shërbimit. Menjëherë sinjalizova përgjegjësin dhe u pozicionuam për të bërë ndaljen. Pasi u afruan në drejtimin tim, rreth 15 metra, unë dallova se ishin civilë.

I thashë të ndalonin e të thoshin parullën dhe në të njëjtën kohë, njëri u ul në gjunjë, e tjetri iku me vrap. Unë qëllova njëherë në ajër me një fishek, duke u thënë; mos lëvizni, se do i qëlloja. Ky që ishte në gjunjë, tentoi të largohej, po në atë drejtim. Në këtë moment, unë dhe shoku im, kemi hapur zjarr bashkërisht, me breshëri.

Pamë se personi u shtri përtokë ,duke thënë: “Më vrave o ushtar”. Përgjegjësi i njësitit kaloi në anën tjetër dhe hodhi pistoletën shenjëdhënëse. Unë hapa zjarr, edhe në drejtim të personit që u largua. Së bashku me përgjegjësin, e ndoqëm prapa, duke qëlluar me breshëri…! Në mëngjes mora vesh, se tjetrin e kishin kapur ata të postës së Gjonçit.

Advertisement