Connect with us

Kosova

Kosova e Ballkani janë në rrezik, Stradner: Rusia synon të nxisë tensione

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në një artikull autorial të botuar në prestigjozen britanike “The Telegraph” paralajmëroi se nxitja e tensioneve midis Kosovës e Serbisë është pjesë e strategjisë ruse për të dobësuar dhe thyer unitetin perëndimor nën NATO-n.

Ajo theksoi se nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, vendet e tjera – përfshirë anëtarët e NATO-s – do të jenë në rrezik shumë të madh, posaçërisht vendet baltike dhe ballkanike. Dhe teksa Rusia udhëheq një luftë hibride kundër shteteve perëndimore, në mënyrë që të të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, vendet e rrezikuara mbeten Kosova dhe Bosnje-Hercegovina.

“Rusia është duke përdorur makinerinë hibride të luftës për të nxitur kaos në nënbarkun e butë të NATO-s: Ballkanin Perëndimor. Duke përdorur operacione informacioni dhe ndikim korruptiv, ajo synon të nxisë tensionet etnike midis Serbisë dhe Kosovës dhe brenda Bosnjë-Hercegovinës”, alarmoi Stradner, duke i bërë thirrje bashkësisë perëndimore të lëvizë përpara.

“Perëndimi – tha ajo – ka fuqinë për të siguruar humbjen e Rusisë, por ata duhet të përkthejnë potencialin e tyre ekonomik dhe diplomatik në realitet. Kjo kërkon durim dhe vendosmëri për të qëndruar pranë Ukrainës dhe për t’i siguruar asaj armë dhe trajnimin e nevojshëm për të fituar në fushën e betejës”

Për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike, tani rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

Advertisement