Connect with us

Aktualitet

“Ministria e Vdekjes”/ Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Albana Koçiut dhe drejtuesve të QSUT

“Ministria e Vdekjes” Kështu e kanë konsideruar protestuesit Ministrinë e Shëndetësisë, pas skandalit tek spitali i Onkologjikut, ku mjekët kishin krijuar një skemë abuzive të transfermit të pacientëve me kancer drejt klinikave private.

Qindra qytetarë kanë protestuar këtë të mërkurë para godinë së Ministrisë së Shëndetësisë, teksa kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministres Albana Koçiu, si dhe gjithë zinxhirit drejtues në QSUT. Gjithashtu, protestuesit ngritën edhe shqetësimin e mungesës së ilaçeve jetike në spitalet e shtetit.

 “A ka njeri këtu që dinjiteti mos të jetë shkelur. A ka marr kush këtu shërbim falas shëndetësor. Ne nuk na mbledhur rast i paprecedentë, rasti i vetëm i dikujt që ka prapavijë kriminale, na ka mbledhur rrjeti i hajdutëve, nga kryeministria, ministria, spitali, deri te roja që të vjedh. Ka dy vite jashtë pune, që shqiptarët të bredhin dyerve të spitaleve private. Ju e dini se nëpër spitale mungojnë ilaçet. Kërkojmë dorëheqjen e Kociut, dorëheqje për zinxhirin drejtues të QSUT. Mjekët të punojnë vetëm në një sektor, jo të na bëjnë ping pong. Plotësimi i spitaleve me branat që mungojnë dhe sigurimi i mjekimeve të krimoterapisë, të klasifikohet vrasje me dashje mungesa e mjekimit në spitale, lënia e pacientëve pa mjekim. Heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjeket infermieret që me dashje u heqin pacientëve”, tha një prej protestuesve.

Qytetarët mbanin pankarta në duar, teksa kanë hedhur shiringa bosh, si simbolikë në oborrin e Ministrisë së Shëndetësisë. “Pacientët në varr, vrasësit në Maldive” apo “Ç’u bë me betimin e Hipokratit” ishin disa prej pankartave që mbaheshin në duar.

Skandali tek Onkologjiku u denoncua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por Ministria e Shëndetësisë reagoi vetëm pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Tiranës.

Nga hetimi i kryer nga Prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private. Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Advertisement