Connect with us

Bota

“Fëmija i ëmbël, i kthyer në vrasës gjakftohtë!”/ Profili kontradiktor i atentatorit të Trump

Sa më shumë që Shërbimi Sekret Amerikan gërmon në të kaluarën e 20-vjeçarit Thomas Matthew Crooks për të profilizuar sulmin ndaj Donald Trump, aq më shumë ngatërrohet gjithçka.

Media të huaja shkruajnë se janë ngritur dyshime të shumta se si mundet një fëmijë i përshkruar si “i ëmbël dhe i qetë” të kthehet në një vrasës? Si mundet një fëmijë i cili u refuzua nga ekipi i tij i qitjes në shkollë për të qenë një “qitës i tmerrshëm” të marrë një goditje që do të ishte e vështirë edhe për një snajper profesionist? Si mundet një person që përshkruhet si indiferent ndaj politikës, të tentojë të vrasë ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara?

Edhe kur bëhet fjalë për kontaktet e tij sociale në shkollë, gjithçka është kontradiktore. Një mik dëshmoi se Thomas Crooks “ishte një fëmijë i qetë, i vetmuar, i cili ishte ngacmuar shumë në shkollën e mesme”, ndërsa shokët e tjerë të klasës dëshmuan se ata kurrë nuk e kishin parë atë të ngacmuar.

Megjithatë, ajo për të cilën të gjithë bien dakord, është fakti se atij i pëlqente të vishej me pajisje gjuetie, pantallona kamuflazhi dhe këmisha në ngjyrë kaki.

Fëmija i ëmbël, i kthyer në vrasës gjakftohtë

Thomas Crooks përshkruhet nga shokët e tij të klasës si një ‘fëmijë i qetë dhe shumë inteligjent’, interesat e të cilit varionin nga shkenca kompjuterike deri te prodhimet filmike si ‘Star Wars’. Është karakteristik se të gjitha deklaratat e shokëve të klasës të cilët kanë folur edhe për rrjetet televizive amerikane, e cilësojnë si të vetmuar, por shumë inteligjent, të sjellshëm dhe miqësor.

“Ajo që di me siguri është se ai ishte i shkëlqyer,” i tha ABC News një shok klase i Crooks, duke shtuar: “Mbaj mend që gjithmonë i dëgjoja rezultatet e testit të tij për t’i krahasuar me tonat, pasi ai ia doli shumë mirë në matematikë dhe shkencë. Nuk do të thosha se ai u përball ndonjëherë si një person kërcënues, pasi ai kurrë nuk ishte asgjë veçse i sjellshëm”.

Jameson Myers ishte një nga miqtë e paktë të Crooks, me te cilin kishte qenë së bashku që në kopshtin e fëmijëve e përshkruan atë si një njeri shumë të vetmuar e një djalë shumë interesant edhe pse ai nuk kishte shumë miq.

“Unë isha shoku i tij dhe ai kurrë nuk u soll në asnjë mënyrë si revolucionar politik”. Myers thotë se ai kurrë nuk e dëgjoi atë të diskutonte për politikën, e veçanërisht për Trump, dhe se ai ishte një djalë vërtet i këndshëm dhe i ëmbël për sa kohë që e njihte.

Crooks madje kishte marrë një çmim prej 500 dollarësh nga shkolla e tij për arritjet e tij në matematikë dhe shkrimin e kodit kompjuterik.

Sigurisht, ky profil i përshkruar nga shokët e klasës dhe miqtë e Crooks nuk përputhet aspak me aktin e tij. 20-vjeçari shfaqi sjelljen e një agjenti të fshehtë me përvojë, i cili kaloi nëpër kontrollet e Shërbimit Sekret dhe policisë pa asnjë emocion vrasës.

Jo vetëm sepse u nis pa asnjë hezitim në misionin e tij për të ekzekutuar një njeri, ish-kandidatin për President të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por edhe njerëz të tjerë që ishin aty, ashtu siç bëri.

Ky vendim nuk i atribuohet lehtë një të riu që cilësohet si “normal, i sjellshëm dhe i ëmbël”.

Për më tepër, diapazoni i interesave të tij, domethënë kinemaja dhe veçanërisht Star Wars dhe prodhimet kompjuterike, nuk mund të lidhen në asnjë mënyrë me ekstremizmin politik dhe dhunën ose vrasjen.

Crooks punoi si ndihmës dietolog në Qendrën e Infermierisë dhe Rehabilitimit në Bethel Park, një shtëpi pleqsh pranë shtëpisë së familjes së tij. Drejtoresha e shtëpisë së të moshuarve Marci Grimm tha se ajo ishte e tronditur dhe e trishtuar pasi tha se Thomas Mattheë Crooks e kreu punën e tij pa shqetësim dhe kontrolli i tij i historisë ishte i pastër.

 Crooks besonte në teori konspirative

Sipas të dhënave të FBI-së, Crooks nuk kishte histori të sëmundjeve dhe çrregullimeve mendore dhe nuk ishte aktiv në rrjetet sociale. Deri më tani është gjetur një llogari e tij e Discord, por ai rrallë hynte ose postonte në të.

Analiza e rrëfimit të tij tregon se ai kurrë nuk diskutoi pikëpamjet e tij politike, apo promovoi dhunën.

Megjithatë, ajo që po shikohet është informacioni në duart e hetuesve të Shërbimit Sekret që po trajtojnë rastin, se Crooks është informuar së fundmi nga burime që ata e përshkruajnë si “dezinformim”.

Ajo që ata po përpiqen të kuptojnë tani është nëse këto burime të teorisë së konspiracionit ndikuan tek ai në atë masë sa që “fëmija i ëmbël, i qetë dhe miqësor” u shndërrua në një vrasës.

Megjithatë, deri më tani hetuesit nuk kanë mundur të identifikojnë ndonjë lidhje të 20-vjeçarit me organizata apo individë ekstremistë, megjithatë vazhdojnë të “skanojnë” informacionin e dhënë nga celulari i tij dhe pajisjet e tjera dixhitale që përdorte.

“Gjuajtësi i keq” që qëlloi në shenjë

Myers dhe një tjetër shok klase të Crooks dëshmoi se gjuajtësi u përpoq të bashkohej me poligonin e qitjes së shkollës, por u refuzua. “Ai dështoi dhe madje iu kërkua të mos kthehej pasi gjuajtja e tij ishte aq e keqe sa u konsiderua e rrezikshme”, thanë miqtë e tij.

Anëtarët e tjerë të ekipit të qitjes thanë se ai nuk ishte në nivelin e standardeve të ekipit dhe se qëllonte keq.

Përkundër faktit se Crooks ishte regjistruar në klubin lokal të sportistëve Clairton, sipas hetimeve të autoriteteve, profili i tij nuk përputhet me të shtënë që ai qëlloi në drejtim të Trump. Snajperët me përvojë me një sfond ushtarak raportojnë se gjuajtja e Crooks është ajo e një profesionisti dhe se për një joprofesionist, aq më pak një fëmijë i përshkruar si një “qitës i keq”, përshkruhet si shumë e vështirë deri në e pamundur.

Siç sqarojnë ata, nuk është vetëm distanca 120-150 metra. Është fakti se për të bërë një gjuajtje me një saktësi kaq të lartë, është e nevojshme të kontrolloni frymëmarrjen, madje edhe pulsin, palëvizshmërinë e plotë, një trajektore dhe synim të shkëlqyer, duke marrë parasysh erën dhe faktorë të tjerë.

Në rastin e tij, Crooks u ngjit në ndërtesë me shpejtësi, që do të thotë se do t’i mbahej qoftë edhe pak fryma, ndërkohë që me siguri e dinte se i kishte mbetur shumë pak kohë dhe se ishte në sekondat e fundit të jetës së tij.

Ai ishte i sigurt se gjuajtësit e mprehtë do ta vrisnin kur të përcaktonin se ai ishte një kërcënim për kandidatin presidencial. Të njëjtat burime shpjegojnë se në thelb, Crooks kishte një sekondë për të synuar dhe gjuajtur të shtënën e parë.

Dhe nga 8 të shtënat që ai arriti, njëra ishte në pikë, duke pasur parasysh se Donald Trump ndërsa plumbi u drejtua drejt kokës së tij u përkul për të parë një hartë që kishte para tij në podium dhe përfundoi duke u goditur në pjesën e sipërme të veshit.

Misteri mbizotëron edhe mbi armën, por edhe me bombat. Sipas informacioneve të fundit, arma me të cilën ka qëlluar Crooks, e cila iu shmang me mjeshtëri kontrolleve dhe vëmendjes së policisë dhe agjentëve sekretë të ngarkuar me sigurinë e Trump-it, është blerë ligjërisht, në vitin 2013, nga babai i tij.

Është një pushkë gjysmë automatike AR-15, të cilën nuk dihet se si ka pasur akses dhe ka të ngjarë të jetë një armë me të cilën ai nuk ishte veçanërisht i njohur. Pra, si ia doli ta bënte këtë goditje?

Një i majtë që votoi konservatorët?

Crooks kishte veshur pantallona kamuflazhi dhe një bluzë me flamurin amerikan dhe logon e kanalit në YouTube Demolition Ranch kur qëlloi Trump. Është një kanal popullor me 11 milionë abonentë që promovon përdorimin e armëve për qëllime argëtimi (por në asnjë mënyrë nuk promovon dhunën). Dhe kjo në vetvete duket kontradiktore.

Ndërsa Joe Biden, disa ditë para atentatit, u premtoi votuesve të tij se do të ndalonte blerjen dhe posedimin e armëve sulmuese, përfshirë versionin civil të pushkës gjysmë automatike të përdorur nga sulmuesi.

Për audiencën e Demolition Ranch, Trump dhe politikat e tij “përkthehen” si më miqësore. Edhe politikisht, profili i Crooks është shumë konfuz, pasi ai duket se ka qenë një fans i njeriut që tentoi të ekzekutonte. Zgjedhjet e 5 nëntorit do të ishin hera e parë që 20-vjeçari do të votonte dhe e kishte bërë të qartë zgjedhjen e tij pasi ishte regjistruar me republikanët. Gjithsesi, që e ndërlikon situatën është fakti se para se të bëhej i rritur, në moshën 17-vjeçare, ai bëri një dhurim prej 15 dollarësh për ActBlue, një komitet politik që mbledh para për politikanët e krahut të majtë dhe demokratë. Dhurimi u bë më 20 janar 2021, ditën kur Joe Biden u betua si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Edhe qyteti ku Crooks u rrit dhe jetoi, Bethel Park, nuk ka histori dhune apo tensionesh politike. Është një lagje mjaft e pasur, në të cilën lagjet kanë një përzierje flamujsh dhe pankartash të Biden dhe Trump, pa asnjë incident të vetëm tensioni të regjistruar.

Advertisement