Lifestyle
Si të parandalojmë puçrrat e vapës tek fëmijët?
Puçrrat e vapës janë një shpërthim puçrrash të vogla (prush) në lëkurë të shkaktuara nga mbinxehja e tepërt e fëmijës. Kjo situatë është e shpeshtë gjatë stinës së verës, veçanërisht tek foshnjat e vitit të parë të jetës. Në përgjithësi shfaqet në lëkurën e fytyrës dhe në pjesët ku lëkura formon palosje, (kofshë, krahë), prush në ngjyrë rozë në fytyrë dhe në palat e lëkurës, por në disa raste mund të mbulojnë edhe të gjithë lëkurën e trupit.
Mjekja dermatologe pediatre, dr. Erjona Shehu, këshillon se për të evituar shfaqjen e këtyre puçrrave duhen pasur parasysh këto këshilla:
- Fëmija nuk duhet veshur trashë në verë.
- Duhet larë me ujë 33-37 gradë Celcius dhe të thahet mirë me peshqir.
- Prindërit duhet të sigurohen që temperatura e dhomës të mos jetë shumë e lartë dhe ajri të qarkullojë.
- Nëse puçrrat nuk zhduken pas 12 orësh, atëherë duhet konsultuar me mjekun.
Një rrezik tjetër i të nxehtit është virusi Herpes Simpleks.Infeksioni i lëkurës i shkaktuar nga ky virus shfaqet në formën e një plage në trajtën e një grumbulli vezikulash, që kur thahen bëhen me kore. Ky virus qëndron i heshtur në pjesën e fundit të nervave. Ai kalon nga prindërit te fëmijët me anë të puthjes. Një rritje në temperaturën e lëkurës prej diellit të fortë, etj, mund ta gjallërojë virusin dhe të çojë në formimin e një plage. Këto plagë nuk janë të rrezikshme, por duhen mjekuar.