Shkrime
‘Kush luan me shpatën, vdes nga shpata’
Nga Berat Buzhala
Nëse e harrojmë për një moment Donika Gërvallën, atëherë Vjosa Osmani është aksidenti më i madh politik që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.
Unë nuk them që Vjosa nuk ka talent politik, por them që Vjosa Osmani nuk ka shtyllë politike.
Ajo jepet dhe tregohet se i shërben si një partie politike ashtu edhe një individi politik.
Pra, kur përparohet kështu në politikë, edhe rënia është e sigurt.
Vjosa Osmani nuk ka një opinion politik origjinal. Nuk ka ide origjinale. E vetmja vlerë origjinale, nëse mund ta quajmë vlerë, është histeria.
Natyrisht, atë që i ndodhi nga nëntori 2019 deri në shkurt 2021, disa nga momentet e saj politike, Albin Kurti e përdori më shumë dhe më mirë se kushdo tjetër.
Kurti është një politikan i rrezikshëm, por nuk është idiot. Ai e ndjente erën potenciale të Vjosa Osmanit dhe e shfrytëzojë atë sa herë që donte.
Çfarë është Vjosa për Kurtin, Donika është për Vjosën, prandaj Kurti e rrëmbeu për herë të parë Donikën nga Vjosa dhe kete te fundit e la vetëm me bashkeshortin
Çfarë tjetër është Vjosa? Ajo nuk ka asnjë përfaqësues. Nuk ka ministri. Edhe partia e saj nuk është e saj.
Vetmia është e tmerrshme, dhe vetmia politike është edhe më shumë tmerrshme. Një president i vetmuar është më i tmerrshëm se një qytetar i vetmuar, sepse presidenti ka frikë nga çdo trokitje në derën e institucionit. Frikohet se pas asaj trokitjeje qëndron dikush që do të kërkojë kokën e tij.
Presidenti i vetmuar, i izoluar dhe i braktisur sheh armiq në çdo cep, në çdo zyrë dhe, natyrisht, në çdo aeroport. Çdo roje dhe çdo polic kufitar është një person i dyshimtë dhe i infiltruar për të.
Kur je në një pozicion të lartë politik, gjëja më e mirë është të mos raportosh asnjë fyerje që mund të të bëhet, sepse nëse i raporton ato, nuk dukesh si viktimë, por dukesh i parëndësishëm.
Nderimi më i madh që i bëri vetes Vjosa Osmani ishte se nuk e përmendi incidentin në aeroportin e Shkupit, ku policia kufitare mesa duket e ka injoruar. Që nga ai incident, ajo nuk është bërë më e madhe, ajo është bërë më e vogël. Motër, respekti nuk kërkohet, por fitohet.
Ajo, sado naive, priste që tani pas saj të rreshtohej e gjithë Kosova dhe të fillonte pushtimi i Maqedonisë për të kapur fajtorët.
Pavaresisht kesaj Kurti shkoi në Maqedoni ku të gjithë ngjarjen e ka trajtuar si një incident që po hetohet dhe ende nuk dihet fajtori.
Kurti duket i kënaqur që pala maqedonase ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur.
Se çfare shpërputhjesh në qendrime ka Albini me Vjosën, lexoni komunikaten e Presidentes. Një komunikatë apokaliptike, nga një Presidente e vogel.
Në çdo rast, siç tha Krishti, ai që luan me shpatën, vdes nga shpata. Albin Kurti nuk është Agim Veliu dhe Lutfi Haziri. Sapo i ka dhënë 400.000 mijë vota, mbetet pa asnjë.
Hasta la vista!