Connect with us

Kosova

Synimi kryesor i aksioneve të Kurtit në Veri është përgatitja e terrenit për Asociacionin

Situata e krijuar në Veri të Kosovës ka shkaktuar fërkimin e radhës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.

Mbyllja e degëve postare të Serbisë në Veri të Kosovës dhe paralajmërimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Evropian, po cilësohen si “veprime të njëanshme” të Qeverisë që mund të shkaktojnë përshkallëzimin e situatës në komunat të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës, përkundër kritikave të shumta, po argumenton se të gjitha veprimet e ndërmarra në Veri kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe kushtetutës.

Për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, synimi kryesor i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nën siglën e “shtrirjes së sovranitetit në Veri”, është krijimi i një fryme ku formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk shihet më si një mekanizëm që minon shtetësinë e Kosovës, por përkundrazi i shërben komunitetit serb.

Kurti, sipas analistit politik, është peng i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit – nuk mund ta shmang pafundësisht mos-formimin e Asociacionit, dhe prandaj me aksione të tilla ai po përgatit terrenin për formimin e tij.

“Kurti kërkon që në opiniontë krijojë përshtypjen se kurdo që të vijë koha të zbatohet ky obligim, ai nuk paraqet rrezik për shtetin e Kosovës, sepse në veri tashmë është vendosur rendi dhe ligji, dhe ai është në shërbim të qytetarëve të Kosovës me përkatësi serbe, e jo të bandave kriminale. Pra ai nuk ofron një entitet shtesë për pushtetin e Milan Radojiçiç-it, ngase ky i fundit nuk ka vend më në Kosovë, por për qytetarët e zakonshëm serbë”- ka deklaruar Kasolli.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar ndërkohë rëndimin e masave ndëshkuese të vendosura kundër Kosovës një vit më parë për shkak të “veprimeve të pakoordinuara” të lidershipit kosovar në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë iniciativën për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Francës, nëpërmjet një komunikate për media, ka dënuar me terma të ashpër situatën e krijuar në Veri.

Ndërkaq, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se administrata amerikane është e shqetësuar për “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë mbështetjen amerikane për rrugën euroatlantike të Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në platformën “X” ka theksuar se mbyllja e degëve të postës serbe, përkatësisht “veprimet e pakoordinuara” në veri, përveçse se kundër frymës së marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, rrezikojnë ta lënë të bllokuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Advertisement