Connect with us

Politike

‘Parashikimi’ i Ramës trondit PD-në, Bylykbashi: Mandate sa në `97? Lajm ogurzi…

“PD në zgjedhjet e ardhshme zor se merr më shumë mandate sesa në 1997”. Dy ditë pas këtij parashikimi të kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e 2025, Partia Demokratike iu përgjigj zyrtarisht me anë të nënkryetarit Oerd Bylykbashi.

Nga selia blu, ai e cilësoi një skenar ogurzi dhe kërcënim parashikimin e Ramës: “OSBE i quajti votimet e 1997 vetëm si “të pranueshme për shkak të rrethanave të rënda” dhe konstatoi se në rreth 70% të vendit, kandidatët e Partisë Demokratike u penguan nga bandat të bënin fushatë. Votimet e vitit 1997 ku mbretëroi terrori i bandave të Zani Çaushëve të lidhura me Partinë Socialiste mbi kandidatët, militantët dhe simpatizantët e PD, janë standardi që Kryeministri Edi Rama ofron për shqiptarët për zgjedhjet e vitit 2025”.

Deputeti demokrat pohon se në vend të standardeve zgjedhore të një vendi demokratik, Kryeministri përdor bandat dhe paratë kriminale. Bylykbashi premton se Partia Demokratike do t’i përgjigjet çdo kërcënimi që vjen nga kundërshtarët për të garantuar zgjedhje të lira në 2025, siç shkruan A2.

“Partia Demokratike e merr shumë seriozisht këtë premtim të Edi Ramës për të rikthyer standardin e 1997 në zgjedhje. Partia Demokratike do t’i përgjigjet fort, në mënyrë të plotë dhe proporcionale dhe me çdo mjet legjitim, skenarit të Edi Ramës. Edi Rama, çdo vegël e tij, çdo patronazhist, çdo institucion i shtetit, përfshirë gjoja të pavarurit, do të mbajnë përgjegjësi të plotë nëse angazhohen apo i hapin rrugë këtij skenari”, shtoi Bylykbashi.

Nënkryetari i Partisë Demokratike përsëriti thirrjen për lirimin e liderit Sali Berisha dhe krijimin e qeverisë teknike për të administruar zgjedhjet e vitit 2025.

Advertisement