Bota
Katër të vdekur nga tornadot në Florida, tre milionë banorë ende pa energji elektrike
Katër persona janë konfirmuar të vdekur si pasojë e uraganit të fortë që goditi Floridën gjatë natës, ndërsa pritet të ketë përmbytje të tjera.
Viktimat janë raportuar në qarkun S Lucie, në bregun lindor të Floridës, nga tornadot e krijuara, të cilat shkaktuan edhe dëme të mëdha, duke rrafshuar më shumë se 100 shtëpi.
Më shumë se tre milionë shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike, ndërsa guvernatori Ron DeSantis thotë se priten më shumë përmbytje në ditët në vijim.
DeSantis tha gjithashtu se mbi 80,000 njerëz kanë qëndruar në disa qendra strehimi gjatë natës. “Ne do ta kuptojmë më mirë” shkallën e dëmit gjatë ditës, thotë ai, por shton se “fatmirësisht nuk ishte skenari më i keq”.
FlightAware, një faqe interneti që gjurmon vonesat dhe anulimet e fluturimeve brenda dhe rreth SHBA-së, ka regjistruar mbi 2000 fluturime të anuluara deri më tani këtë mëngjes. Të paktën 700 fluturime janë vonuar gjithashtu, sipas gjurmuesit.
Milton është stuhia e tretë me shpejtësinë më të madhe të regjistruar në oqeanin Atlantik që mbërrin në bregun perëndimor të Floridës, duke kërcënuar jetët e banorëve dhe me përmbytje masive të zonave të ulëta.
Tani që uragani Milton është zhvendosur në det të hapur, rreziku i stuhive të forta dhe tornadove në Florida është zvogëluar. Megjithatë, rreziku i përmbytjeve të shpejta dhe erërave të dëmshme mbetet.
Për shkak të baticave të larta, mbushjes së lumenjve dhe vëllimit të madh të shiut që ka rënë, përmbytjet e mëdha urbane janë ende të mundshme – veçanërisht pasi ka akoma më shumë shi në Florida qendrore dhe veriore.
Erërat me shpejtësi të lartë – forca uragani në vende – po godasin ende lindjen e Floridës. Ato mund të sjellin një rrezik të stuhive kërcënuese për jetën nga Florida qendrore lindore deri në Gjeorgji dhe, në një shkallë më të vogël, në Karolinën e Jugut.