Connect with us

Aktualitet

Gjykata e Romës vendosi rikthimin në Itali/ Emigrantët pritet të zhvendosen drejt portit të Vlorës për transferimin

12 emigrantët që ndodhen momentalisht në tokën shqiptare si rezultat i marrëveshjes me Italinë do të zhvendosen nga kampi i Gjadrit drejt portit të Vlorës dhe më pas do të transferohen në Itali. Kjo lëvizje vjen pas vendimi të sotëm nga Gjykata e Romës, për t’i kthyer ata në Itali.

Kjo lëvizje pritet të bëhet në orët në vazhdim. Ndërkohë, vendimi i Gjykatës së Romës përcakton se ata duhet të kthehen të gjithë dhe menjëherë, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga komisionet territoriale.

Sipas mediave italiane, vendim i Gjykatës së Romës bazohet në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë Evropiane më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta. Sipas vendimit të Gjykatës së Romës, Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe për këtë arsye emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali.

Anija “Libra” e marinës italiane zbarkoi në brigjet shqiptare, në Shëngjin, mëngjesin e 16 tetorit ku solli kontigjentin e parë të emigrantëve të përbërë prej 16 personash, 10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, sipas marrëveshjes së firmosur me Italinë.

Emigrantët në fjalë u kapën në det nga autoritetet italiane më 13 tetor. Ata iu nështruan kontrolleve në Shëngjin dhe më pas janë dërguar në kampin në Gjadër, një fshat i vogël rreth 15 minuta me makinë larg, ku janë akomoduar derisa janë përpunuar dokumentacionet e tyre.

Advertisement