Connect with us

Politike

Meta shndërron Monikën sërish në tabelë qitje, e fajëson për arrestimin

Ka një tjetër reagim nga qelia të ish-Presidentit Ilir Meta. Pasi të Hënën dha versionin e tij lidhur me të gjitha akuzat e SPAK, sot Meta është ndalur te dita e arrestimit të tij. Vënien e tij në pranga e konsideron “rrëmbim me dhunë dhe sjellje kriminale nga dhjetëra njerëz me maska e të armatosur”.

“Sipas videove të publikuara dhe dëshmitarëve okularë, më 21 Tetor, disa makina private pa asnjë mbishkrim policor rrethuan makinën ku unë lëvizja dhe dhjetëra njerëz me maska dhe armatim të rëndë bllokuan trafikun në autostradë, prangosën dhunshëm drejtuesin e automjetit, Artemis Peca, funksionar politik i Partisë së Lirisë (pa asnjë vendim gjyqësor deri tani), ndërsa unë, Ilir Meta, u rrëmbeva me dhunë dhe u tërhoqa zvarrë nga automjeti mes publikut, me një trajtim kriminal e degradues pa m’u komunikuar asnjë vendim gjyqësor dhe pa m’u lexuar të drejtat, që më takojnë, sipas Kushtetutës. Në dy deklarata, SPAK dhe BKH mohuan që të kenë bërë ekzekutimin e vendimit të GJKKO, ndërsa policia pranoi se e kishte kryer ajo ekzekutimin. Shkelja e të gjitha të drejtave, siç tregojnë provat dhe pamjet filmike dëshmojnë për një arrestim të paligjshëm e banditesk.”

Sipas kryetarit të Partisë së Lirisë, është shkelur i gjithë kuadri ligjor pasi urdhri i Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e tij është bazuar në një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë.

“Skandali që udhëheq gjithë këtë arrestim të paligjshëm është vetë urdhri i tre prokurorëve të SPAK-ut, Dumani, Kraja e Kllapi të cilët e kanë mbështetur urdhrin e tyre për arrestimin e Ilir Metës në një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë. Pra jemi në kushtet kur Urdhri për ekzekutimin e vendimit për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” është i mbështetur mbi një akt, që ka 4 vjet që nuk është në fuqi.”

Rrjedhimisht, shprehet ai, çdo veprim i kryer nga agjentët e policisë duhet të konsiderohet i pavlefshëm. Bazuar në pamjet filmike, Meta shton se nuk kanë qenë oficerët e BKH-së apo të Policisë së Shtetit ata që e kanë ndaluar.

“Urdhri për ekzekutimin e masës së sigurimit ndaj personit në hetim Ilir Meta është zbatuar nga trupa me maska dhe pa distinktiv dallues, që pretendohen se ishin Forca Speciale. Kjo vjen në kundërshtim të qartë edhe me dispozitat që përcaktojnë qëllimet operacionale të Forcave Speciale.”

Duke cituar ligjin, ai thotë se çdo individ është i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

“Është e qartë se i gjithë ky proces rrëmbimi politik dhe të gjitha veprimet e paligjshme nga Prokuroria, Policia dhe Gjykata afërmendsh kanë vetëm një qëllim politik, izolimin e paligjshëm ekstrem të Ilir Metës, si President i Partisë së Lirisë, me qëllim pengimin e aktivitetit të saj opozitar, por edhe favorizimin e peronsave që janë kapur në shkelje të ligjit për të vepruar të lirë për llogari të regjimit mafioz për të dëmtuar Partinë e Lirisë në këmbim të rrethanave lehtësuese për veprimet e paligjshme që kanë bërë. Arrestimi i paligjshëm dhe banditesk i 21 Tetorit është jo vetëm shfaqja, por edhe thelbi kriminal i një procesi të tërë hetimor bazuar në montime politike, dëshmitarë të rremë e me probleme me drejtësinë dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij rënë në rrjetën e SPAK-ut për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mendjelehtësisë së tyre, të cilët janë kthyer në bashkëpunëtorë të regjimit për të vrarë ëndrrat dhe shpresat e atyre që i mbështetën me idealizëm”, përfundon ish-Presidenti.

 

Advertisement