Rajon
Vuçiç uron Trumpin për fitoren në zgjedhje: Së bashku, ne do të përballemi me sfida serioze
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka uruar të mërkurën kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për, sikurse ka vlerësuar ai, fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane, përkundër se Trumpi nuk është shpallur akoma fitues duke qenë se procesi i numërimit të votave është duke vazhduar.
“Së bashku, ne do të përballemi me sfida serioze. Serbia është e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara për stabilitet, rritje dhe paqe”, ka deklaruar presidenti serb nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën herët, duke u bërë lideri i parë në Ballkanin Perëndimor që ngutet dhe uron Trumpin për rezultatin zgjedhor.
Trumpi ka fituar 267 vota elektorale, duke arritur në prag të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa kandidatja demokrate, Kamala Harris, aktualisht, ka fituar 214 sosh. Për të fituar zgjedhjet, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 270 vota të kolegjit elektoral.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane vijnë në kohën kur administrata aktuale e demokratëve, ku bën pjesë Harris, ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin t’i normalizojnë raporet për të ecur drejt integrimeve.