Connect with us

Aktualitet

Shpërndante kokainë me makina luksoze, 32-vjeçari shqiptar kapet në Spanjë

 Një 32-vjeçar shqiptar është arrestuar në Spanjë dhe më pas është ekstradua drejt Italisë, pasi kërkohej si anëtar i një organizate kriminale ekstrakomunitare e trafikut të drogave të forta në rajonin e Emiglia Romagna, por edhe më gjerë. Mediat e huaja shkruajnë se ishte 21 shtator 2023 kur në provincat Reggio Emilia dhe Parma, karabinierët e Kompanisë Castelnovo në Monti, bashkë me Prokurorinë, zbatuan urdhrin e paraburgimit të 24 personave nën hetim, së bashku me 7 të tjerë, në kuadër të hetimit të “Fast Car”, për krime në lidhje me trafikun e drogës dhe armëmbajtjes pa leje.

Siç raportohet mes të dyshuarve ishte edhe një 32-vjeçar shqiptar, i cili në momentin e ekzekutimit të urdhrave rezultoi se ishte larguar dhe ndodhej në Spanjë. Por më pas autoritetet spanjolle kanë njoftuar homologët e tyre se i kërkuari është kapur për efekt ekstradimi, pas urdhërit ndërkombëtar të arrestit. Operacioni “Fast Car” nisi në Reggio Emilia, më 31 dhjetor 2019, ku fillimisht u kap një 42-vjeçar italian, të cilit iu gjetën 30 gramë të kokainës dhe parave të gatshme.

Hetimet e thelluara zbuluan një rrjet edhe më të gjerë kriminal të trafikut, që çuan në arrestimin në flagrancë ose me urdhër arresti të 11 personave të tjerë. Kanali i furnizimit ishte ai i Campania dhe lënda narkotike e vendosur në tregun Reggio Emilia vinte kryesisht nga rrethi Scampia i Napolit. Qarkullimi i vlerësuar ishte rreth 10 mijë euro në ditë. Mes të arrestuarve janë edhe 3 shqiptarë, kurse organizata përbëhej nga vendas dhe ekstrakomunitarë, si algjerianë dhe marokenë. Sipas hetimeve, grupi funksiononte që para pandemisë, madje kishte lidhje edhe me tregun e medikamenteve që përdoreshin për të përzier lëndën narkotike apo si përbërës psikotrop tek përdoruesit.

Advertisement