Sport
Atalanta përmbys Empolin dhe merr kreun, Dybala magjik, Roma i shënon pesë herë Parmës
Serie A e futbollit në Itali vijoi këtë të diel me ndeshjet e radhës për raundin e 17-të. Roma shkëlqeu dhe fitoi 5-0 kundër Parmës. Atalanta fitoi 3-2 me Empolin, teksa vendasit rimarrin kreun e Serie A. Në mbrëmje Juventusi u rikthye te fitorja dhe këtë e bëri duke mposhtur 1-2 Monzën.
Në Bergamo Atalanta fitoi 3-2 me përmbysje kundër Empolit për të rimarrë kreun e Serie A. Te vendasit Berat Gjimshiti dhe te miqtë Ardian Ismajli e nisën ndeshjen nga minuta e parë, me Beratin që në fund festoi suksesin edhe pse luajti 70 minuta.
Ishte Empoli që shënoi pas 13 minutave lojë me Colombon, ndërsa “La Dea” përmbysi brenda pjesës së parë me De Ketelaere dhe Lookman. Sebastiano Esposito barazoi në minutën e 56-të, para se sërish De Ketelaere të gjente rrjetën për bergamaskët dhe t’i dërgonte në krye të Serie A. Një sezon special për Atalantën dhe trajnerin Gian Piero Gasperini që e shohin veten prijës së tabelës pas javës së 17-të, me një futboll të bukur, sulmues dhe të këndshëm për t’u parë
Në “Olimpico” Roma nuk gaboi dhe tregoi cilësi duke mposhtur 5-0 Parmën. Fantastik Dybala me dopietë, asist dhe penallti të fituar. Argjentinasi hapi serinë e golave në minutën e tetë nga penalltia, për t’i lënë radhën Saelemaekers në të 13′. Fraksioni i dytë solli golin e dytë të Dybala, atë të Paredes nga penalltia dhe Dovbyk (me asist të Dybala). Me 19 pikë Roma ngjitet në vendin e 11-të, ndërsa Parma me 15 pikë mban pozitën e 16-të.
Në “Brianteo” vendasi e Monzës vijojnë të jenë në krizë duke humbur 1-2 nga Juventusi. “Zonja e Vjetër” nuk e pati të lehtë, por në fund siguroi tri pikët pas katër barazimeve radhazi në Serie A. McKennie shënoi për miqtë në minutën e 14-të, ndërsa Birindelli barazoi shifrat vetëm tetë minuta më pas. Në minutën e 39-të ishte Gonzales që riktheu në epërsi bardhezinjtë, gol që në fund vleu tri pikë.
Ky raund në Serie A mbyllet të hënën. Në 18:30 Fiorentina pret Udinesen, ndërsa në 20:45 Inter luan me Comon në Milano.