Connect with us

Kronike

Zbardhet skeda kriminale e 30-vjeçarit që u vra dje në afërsi të Vlorës

Kristian Marku është identifikuar si 30-vjeçari që mbeti viktimë e të shtënave me armë zjarri pasditen e sotme në aksin Fier-Vlorë.

Marku, dinamika e vrasjes së të cilit ende mbetet e paqartë, nuk është një emër i panjohur për autoritetet e policisë, pasi ai ka precedentë të mëparshëm penalë për “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Në vitin 2023 Kristian Marku alias Kristi Bardhi është skeduar nga policia si i dyshuar për një ngjarje të ndodhur në 26 mars të këtij viti në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtetasit me iniciale S. R.

Më tej, në shtator të vitit 2023, Marku është arrestuar nga policia e Kurbinit pasi është kapur me një armë zjarri tip pistoletë të cilën e mbante pa leje.

Mësohet se Marku është sinjalizuar nga shërbimet e policisë për të ndaluar në afërsi të fshatit Shëmri të Kurbinit, por sapo ka vërejtur autoritetet ai ka hedhur armën e mbushur me fishekë nga dritarja e makinës në të cilën ndodhej.

NGJARJA

Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne (13 janar 2025) në autostradën Vlorë-Fier, ku një 30-vjeçar është ekzekutuar me pistoletë tip “Glock” përballë një karburanti në afërsi të fshatit Novoselë.

Viktima i identifikuar si Kristian Marku mësohet se po udhëtonte nga Fieri në Vlorë me makinën e tij tip “Passat” me targa “AB 107 PN”, ndërkohë që paralel me të, nga krahu i djathtë i pasagjerit, është afruar një makinë tip “Golf”, nga ku është shtënë disa herë me pistoletë, drej tij. Marku ka marrë në trup dy plumba dhe makina e tij ka ecur për rreth 400 metra nga vendi që është qëlluar, ndërkohë që policia ka gjetur 10 gëzhoja në total.

Gazetari  Armand Xhellili, informon se nuk dihet nëse viktima ka humbur jetën në momentin që është qëlluar ndaj tij apo ku makina e tij përplasej me trafik-ndarësen deri sa ka ndaluar. Pasi ndodhi ngjarja është njoftuar policia dhe ambulanca, të cilët e kanë gjetur 30-vjeçarin pa jetë.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se kanë qenë 3 autorë dhe kanë përdorur një makinë tip “Volkswagen Golf”, të cilën e kanë djegur rreth 2 kilometra larg vendit të krimit dhe janë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u arratisur. Makina e djegur rezulton me targa të vjedhura dhe brenda saj nuk është gjetur arma e krimit. Ata dyshohet se mund të jenë larguar drejt Fierit duke përdorur rrethrrotullimin e Panajasë.

Policia, e cila po heton për të shkuarën e 30-vjeçarit, ka sekuestruar kamerat e sigurisë në bizneset afër zonës ku ka ndodhur ngjarja, si dhe ka shoqëruar për të marrë në pyetje disa persona.

“Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip”, me drejtues shtetasin Kristian Marku, 30 vjeç, i cili ka humbur jetën”, njoftoi policia.

Kush ishte Kristian Marku?

Kristian Marku alias Kristi Bardhi është nga Mirdita dhe rezulton të jetë nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen, në shtator të vitit 2023. 30-vjeçari dyshohet të jetë autor në ngjarjen e datës 26.03.2023, rreth orës 19:00, të ndodhur në Rrëshen, Mirditë, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit.

Ai akuzohej për veprat penale “Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentativë” dhe “Mbajta pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, por nuk u arrit të provohet përfshirja e tij në këtë ngjarje dhe arriti të fitojë lirinë.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Advertisement