Aktualitet
DERBI IKONIK JUVENTUS – MILAN NDEZ FUNDJAVËN NË SERIE A
Futbolli Italian, me një fuqi thuajse magnetike, përfshin, entuziasmon, bëhet objekt bisede e diskutimesh në të përditshmen tonë.
Në një sezon ku çfarë nuk po ndodh, vjen një tjetër fundjavë elektrizuese, me disa përplasje shumë të rëndësishme për ecurinë e kampionatit, në krye të të cilave, qëndrojnë sfida e së shtunës mbrëma, mes Atalantës dhe Napolit. “La Dea” e Gasperinit do të mbrojë fortesën në Bergamo, teksa për Antonio Konten dhe Napolin rruga drejt titullit do të kalojë sërish në Lombadi. Jo vetëm kaq, do të jetë një betejë edhe mes dy yjeve shqiptarë Rrahmani dhe Gjimshiti, përpos asaj mes dy bomberash si Lukalu dhe Retegui.
Po të shtunën, luhet derbi i shumëpritur, ai mes Juventusit të Thiago Motës dhe Milanit të Sergio Konseisaos. Një klasik i vjetër sa historia e futbollit Italian. Që prej 1901, dy skuadrat më të kuotuara dhe të suksesshme të “Il Calcio”, mes ndeshjesh zyrtare ose jo, janë përplasur mes tyre plot 307 herë.
Këtë herë, dy “peshat e rënda” italiane luajnë për prestigj, për dominancë, por edhe për një vend në zonën Champions, duke qenë se të dyja duhet të luftojnë fort për ta siguruar. Juventus-Milan është më shumë se një ndeshje futbolli, është një përlasje mes dy kryeqendrave piemonteze dhe lombarde, mes dy tifozerive të zjarrta, përfshirë këtu edhe atë shqiptare, e gjitha me sytë nga ekrani i Tring Sport.
Sepse, vështirë se mund t’i apasionojë shqiptarët diçka tjetër sa skuadrat italiane, tifozë të të cilëve janë i madh e i vogël. Dhe kur në Torino luhet mitikja Juve-Milan, të gjithë bëhemi gati, secili me fanellën e zemrës.
Zonja e vjetër, në një moment delikat, për të shpëtuar sezonin, sfidon në shtëpi “Djajtë e Kuq”, të frymëzuar pas triumfit në Superkupë, ndërkohë që në fushë zbret një paradë e mirëfilltë yjesh.
Sërish koha për spektakël në Serie A, ndaj, fundjavën duket se do ta kalojmë mes emocionesh dhe adrenaline në Tring, platformën më të madhë sportive në Shqipëri.