Connect with us

Kronike

Përplasja fatale me 4 viktima/ Në kërkim pronari i kompanisë, djali i biznesmenit të vrarë më 2021

Policia e Tiranës po vijon hetimet për aksidentin e rëndë me 4 të vdekur që ndodhi mesnatën e së mërkurës në rrugën Vorë-Fushë-Krujë, ku një mjet “Benz” u përplas me shpejtësi me një betoniere të ndaluar në rrugë dhe më tej shpërtheu në flakë, duke vrarë të katër të rinjtë.

Por mësohet se firma ku punonte drejtuesi i betonieres, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i arrestuar, rezulton të jetë ‘Hel-Jon shpk’, e cila merret prodhim dhe tregtim betoni që prej vitit 2021, kur dhe është krijuar.

Kompania është me administrator Samir Hoxhën, 27 vjeç, i cili është shpallur në kërkim dhe akoma nuk është gjetur nga policia. Ai akuzohet se ka punësuar Krrashin si shofer, ndërkohë që nuk kishte patentë për drejtimin e mjeteve të rënda, teksa janë shkelur edhe rregullat e sigurisë rrugore e të punës.

Samir Hoxha rezulton se është djali i Ruzhdi Hoxhës, biznesmenit që u gjet i vrarë më 6 nëntor 2021 në Qafë Mollë.

Në bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë automjeti mercedez ku ndodheshin të rinjtë ka kryer parakalimin e 2 kamionëve që lëviznin në rrugën Vorë-Fushë Krujë dhe me pas kanë hyrë sërish në karrexhatë kur dhe me pas janë përplasur me betonieren e ndaluar.

Burimet thonë se sipas dëshmisë së shoferit 24 vjeçar ai ka rrëfyer se sapo ka hyrë në rrugën kryesore është fikur mjeti pas i kishte mbaruar nafta.

Ka provuar ta ndezë disa herë dhe me pas ka shkuar në një karburant aty pranë për të marrë naftë.

Sipas tij ka harruar të ndezë bllokazhin e makinës.

Sipas grupit hetimor përplasja ka qenë e fortë dhe ka ardhur për dy arsye për shkak të shpejtësisë së lartë dhe mungesës së fushë pamjes për shkak mjeti ka parakaluar dhe nuk e parë betonieren e ndaluar.

Sipas policisë në momentin e përplasjes mjeti ka qenë me shpejtësi rreth 170 km në orë.

Advertisement