Politike
Lulzim Basha qenka përgjegjës edhe për divorcin e Monika Kryemadhit me Ilir Metën

Arsyet e divorcit mes Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, nuk janë ende të qarta. Kryemadhi e ftuar në emisionin “Opinion” ka komentuar divorcin, raportin që ka tani me Ilir Metën dhe se si u bë e pamundur bashkëjetesa familjare.
Kryemadhi aludon se një nga shkaqet e divorcit mund të jetë edhe Lulzim Basha, duke ju referuar udhëzimeve të këtij të fundit në vitin 2019 për të djegur mandatet.
Kryemadhi bën fajtor Lulzim Bashën si drejtues i opozitës në atë kohë, i cili mori garanci për mbështetje nga Gjermania pas aktit ekstrem politik të djegies së mandateve në bllok.
Në këtë vend, duket se për çdo gjë fajin e ka Lulzim Basha, edhe për non gratën e Berishës, edhe për divorcin Meta-Kryemadhi, edhe për katandisjen e PD-së në një çetë e Sali Berishës.
Larg qoftë nis ndonjë luftë, se dhe për të do bëjnë përgjegjës Bashën.
Monika Kryemadhi: Me sa kam dëgjuar ka qenë djegia e mandateve. Ilir Meta ka qenë në Gjermani, mandatin do ta digjja vetëm unë, ndërkohë pjesa tjetër e kërkuan edhe ata. Mos harrojmë edhe garancinë që erdhi nga z.Basha që do dilte Kancelarja gjermane në atë kohë, do ishte ajo që do mbështeste opozitën në djegien e mandateve për të çiar vendin…sepse ishin disa procedura që për hir të së vërtetës kishin ndodhur shumë shkelje ligjore në mënyrë flagrante nga mazhoranca në atë kohë dhe e vetmja mënyrë në atë kohë që ishte reaguese ishte edhe djegia e mandateve për të vendosur në një pozicion me shpatulla pas muri Edi Ramën. Që faktikisht vendosi Edi Rama opozitën me shpatulla pas muri.
Blendi Fevziu: Në aspektin politik i bie që z.Basha ju paska thënë diçka që duhet të jesh super naiv “ta hash”, që Kancelarja gjermane del dhe përshëndet djegie mandatesh, kurse në aspektin personal z.Basha qenka shkaku i divorcit tuaj me z.Meta.
Monika Kryemadhi: Kjo është, konfliktet politike që çuan drejt një pamundësie të bashkëjetesës familjare.
Blendi Fevziu: Ka ditur gjë apo jo Ilir Meta?
Monika Kryemadhi: Jo, ka ditur vetëm për mandatin tim. Z.Basha në atë kohë dhe jo vetëm Basha por dhe shumë anëtarë të PD, deputetë apo ish-deputetë që janë sot tek z.Berisha apo në PD, kanë qenë njerëzit kryesorë të cilët kanë mbajtur kontaktet me CDU-në në atë kohë. Unë kam qenë për hyrje në zgjedhjet lokale, por gjithë ambienti politik thoshte mos hyjmë. CDU ishte ajo që i kërkoi Ilir Metës në atë kohë të bënte ndryshimin e datës së zgjedhjeve lokale. Ka pasur ndërhyrje nga jashtë për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve. Se si ka qenë kjo ndërhyrje, kjo është për t’u parë që për mua kërkon investigim zyrtar. Kjo do t’i vijë në një kohë të dytë. Në këndvështrimin tim, sjellja e z.Basha ishte e shitur.

