Connect with us

Rajon

Kush po e mbështet Vuçiçin, teksa e gjithë Serbia po proteston kundër tij

Ndërsa mijëra studentë në Serbi po dalin në rrugë duke kërkuar ndryshime, politikanët rusë dhe ideologët e “botës ruse” po bëjnë zgjedhjen e tyre — dhe kjo zgjedhje është qartazi jo në anën e shoqërisë civile në Serbi. Po kush po e mbështet në fakt Aleksandër Vuçiqin në kohën kur e gjithë Serbia po proteston kundër tij?

Aleksandar Dugin, personazh publik dhe propagandist eshte njeri prej tyre.

Filozofi dhe ideologu i “botës ruse” Aleksandar Dugin u rreshtua hapur me Vuçiqin. Ai ka deklaruar se “Protestat në Serbi janë një revolucion me ngjyrë dhe se Rusia nuk duhet të humbas Ballkanin. Nëse Serbia shkon në sferën perëndimore të ndikimit, Rusia do të humbasë një nga aleatët e saj të fundit në Evropë”

Dugin është i mendimit se “Vuçiq ruan ekuilibrin” dhe se protestuesit po tentojnë ta rrëzojnë sepse ai nuk iu nënshtrua presioneve dhe nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë.

Ngjashëm me propagandën e regjimit në Serbi, Dugin është i bindur se “shërbimet e inteligjencës perëndimore qëndrojnë pas protestave” dhe se Vuçiç duhet të imitojë Lukashenkon. Me pak fjale duhet “të shkatërrohen tradhtarët e Serbise sa nuk është vonë”. Prandaj Dugin u bën thirrje hapur autoriteteve serbe që të shtypin me dhunë protestat, duke ndjekur shembullin e Bjellorusisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ne lidhje me protestat ne Serbi ka mbajtur një qëndrim më diplomatik, por të qartë.  Ajo me vetëdije e ka zhvendosur fokusin nga veprimet e autoriteteve në “përgjegjësinë” e protestuesve. Kjo krijon përshtypjen se protestat janë një kërcënim në vetvete, pavarësisht nga arsyet e tyre.

Veprimet e studentëve dhe qytetarëve që demonstrojnë paraqiten si kërcënim për stabilitetin, ndërsa Vuçiq si garantues i rendit dhe paqes.

Advertisement