Connect with us

Shkrime

Një këshillë për banditët e qeverisë

 Alfred Lela
Oborri i një QV  në Vorë, e pasqyron shumë mirë dëmin që Rilindja i ka bërë politikës këta 12 vjet. Qeveria çon banditët që të rrethojnë qendrat e votimit, dhe kur aty shkojnë politikanë të opozitës, për asgjë tjetër veç për t’u dhënë zemër komisionerëve e vëzhguesve, për tu thënë “nuk jeni vetëm”-pushteti, nëpërmjet megafonëve mediatikë, i quan banditët ‘qytetarë’ dhe politikanët ‘banditë’.

Pra, ata që shkojnë për të mbrojtur procesin politik, për t’u thënë atyre që po bëjnë punën e tyre “mos kini frikë’, janë gangot, ata që shkojnë për ta prishur, janë ‘qytetarë të indinjuar të drejtësisë dhe mirësisë’!

Një zhbërje totale e referencave.

Më shumë se kaq, një thirrje kobzezë për dhunë. Të çosh cabaftët e qeverisë rrotull qendrave të votimit, dhe ata të jenë kaq mendimtarë dhe profetikë, sa ta dinë se kush fiton, dhe t’i drejtohen një politikani të lartë të opozitës me ‘pranojeni humbjen’-kur nuk kanë votuar as 15 përqind, është shkërdhatokraci parapolitike. E mediave që e jehojnë. E padronëve që e pagojnë.

Është një riprodhim i vitit 1946, por me ngjyra.

Kur i sheh këta çantëkrahaqafët e PS nëpër qendra votimi, vesh’ me të zeza si murgj të pocaqisë, si shenjë e randsisë, si debilim i trimërisë, duhet t’ua kujtosh një gjë. Nuk janë më të fortë se Bajrët e Shkodrës. Në zgjedhjet e shkuara, edhe ata qenë plot me vetëbesim, xhupa, blinda dhe autokolona të zeza, në të gjithë qendrat e votimit. Sot, jo pak sosh, votojnë nga burgu.

Demokracia nuk ua heq këtë të drejtë, edhe kur ‘bien brenda’. Por, ja një këshillë për ta-ndoshta ua përkthen nonjani në fis- që nuk e ka marrë universitetin me lek ose me grushta: mos ndërhyni te demokracia, se nuk ka sistem më të mirë-megjithë difektet-edhe për të mbrojtur bythët tuaja. Ne që bërtasim për të jemi gati t’ju mbrojmë edhe ju, madje këtë po bëjmë.

Ruhuni nga dita kur Edi Rama ta ketë fundosur plotësisht demokracinë, sepse ju, duke mos iu dasht’ më me vjedhë zgjedhjet, do t’ju qërojë të parëve. Kjo është hera e fundit që mund t’i duheni nëpër qendra votimi. Madje, pasi t’ju rrasë në burg, mund të bëjë një ligj që, edhe aty të mos votoni dot më.

Mund të jeni të pashkollë, por budallenj nuk jeni: kur lçoi si kova pusi Lalin e Benin, juve nuk u llogarit fare.

Advertisement