Connect with us

Kosova

Tërmet në Ballkan/ Paterica e Kosovës, Amerika iku dhe fundviti që do të sjellë një Rajon tjetër

Analisti Baton Haxhiu, duke komentuar fjalen e Christopher Landau, Zëvendës Sekretari i Shtetit në administratën Trump, I cili tha se “Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë mjete të pakufizuara për qëllime të paqarta, të pasigurta apo jorealiste.”, u shpreh se Amerika nuk do ta mbajë më Ballkanin me paterica dhe se fjalimi i Landau shënon fundin e një epoke dhe fillimin e një pasigurie të re për rajonin

“Kjo nuk është thjesht një frazë. Është një sinjal se epoka e ndërhyrjeve shpëtuese ka përfunduar. Dhe ajo që vjen më pas mund të mos jetë paqe. Mund të mos jetë as stabilitet. Madje, mund të mos jetë as interes. Fjalimi i Landau-t përmbante një tjetër mesazh që duhet të tronditë popujt e Ballkanit. Një pohim i thjeshtë, por shkatërrues për këdo që ka ndërtuar strategji kombëtare mbi besimin se SHBA do të jetë gjithmonë aty për të garantuar sigurinë dhe orientimin politik të rajonit. Ky është një paralajmërim i heshtur për shtrirjen e ndikimit rus, kinez, turk e arab në Bosnje, në Serbi, në Kosovë, në Mal të Zi e më tej. Amerika nuk do të ndalojë dot më askënd. Dhe në Ballkan, kur mbrojtja tërhiqet, historia na ka mësuar se agresioni del nga strofulla. Kur SHBA flet për “realitet lokal”, po nënkupton dorëheqje nga kontrolli. I gjithë fjalimi i tij ishte një akt dorëheqjeje nga përgjegjësia historike që SHBA ka mbajtur mbi Ballkanin që nga vitet ’90. Nëse ky mesazh lexohet drejt, ai duhet të shqetësojë jo vetëm liderët politikë në rajon, por edhe opinionin publik që ka jetuar për vite me bindjen se “Amerika është gjithmonë me ne”. Deri në fund të këtij viti, Ballkani do të përballet me testin e vetë-menaxhimit gjeopolitik. Me dialogun Kosovë-Serbi që ka humbur rrugën, me ndarjen funksionale të Bosnjes që po rrënohet, me rritjen e interesit kinez për portet, energjinë dhe teknologjinë në rajon, me tensione etnike që po zgjohen në kufijtë e harruar. Por një gjë është e qartë me siguri; Në fund të vitit 2025, rajoni nuk do të jetë më i njëjtë. Dhe askush nuk do të mund të thotë se nuk ishte paralajmëruar” – Ka shkruar ne editorialin e tij te fundit analisti Baton Haxhiu.

Advertisement