Shkrime
Shakaxhinjtë që rrihen si gomari në duhan nga Taulant Balla prej Librazhdit
Nga Namir Lapardhaja
Këta që mburren se kanë rrëzuar Enverin, kanë mundur Ramizin dhe kanë dënuar Nexhmijen, ankohen se i ka vjedhur Rama, i ka manipuluar Balla dhe i ka telendisur Zegjineja. Mjafton të shihje seancën e kësaj të enjteje, për të kuptuar se zhvillimet politike që pritet të ndodhin në parlamentin e ri të shtatorit, do të jenë sikur të kesh parë disa herë se si do përfundojë « Titaniku » e të kesh shpresë se kësaj radhe do të ketë fund tjetër, edhe pse ti e di si mbyllet ngjarja.
Përballë një mazhorance obeze si pasojë e skandaleve korruptive të mëdha, do kemi një parti që është mburrur dikur se ka rrëzuar komunizmin e egër, ndërkohë që do vijojë qurravitjen se e ka vjedh Edi Rama. Domethënë, këta që thonë se kanë rrëzuar një ndër regjimet më të egra të Evropës, munden vazhdimisht si gomari në duhan nga Taulanti nga Librazhdi dhe shokët e tij.
E thënë me fjalë të tjera, partia që dikur ‘i tregoi’ vendin « Zonjës së Zezë » Nexhmije Hoxha, u tall dhe u leqendisë fushatën e 11 Majit nga Zegjineja e Roskovecit aq sa u harrua rezultati i zgjedhjeve (se ai e mori rrugën).
E për të vijuar me këta që pretendojnë se kanë sjellë demokracinë, ndërkohë që e kanë kthyer partinë e tyre në një repart ushtarak, ku kapteri i parë të kërkon llogari pse nuk e ke mbërthyer qaforen, ndërsa ti sa hap gojën për t’iu përgjigjur, ai të ulëret : Mooos foool!!!
Ose-ose, këta që mburren se kanë luftuar krimin dhe bandat, sot po thonë se krimi dhe bandat iu vodhën zgjedhjet, mirëpo e tregojnë të vërtetën e gotës përgjysmë, sepse, një pjesë e madhe e këtyre që akuzojnë se u kanë vjedhur zgjedhjet, ishin po të njëjtët që tre vite më parë organizuan ‘Foltoren’.
E që të mos e lëmë edhe këtë pa e thënë, partia që do duhej të ishte shpresa e shqiptarëve, është shndërruar në një ansambël shakaxhinjsh, ku është shpallur konkursi i barsaletës më të bukur. Edhe pse ata duket se thonë gjëra serioze, aq më shumë qeshin njerëzit nga humori i tyre i arrirë.