Kosova
Si Albin Kurti, për të mirën e qytetarëve, ia bëri ‘urën’ urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Një vit pas deklaratës së tij se “nuk mund t’i bëjmë urën urës” ai vetë i bën urë urës. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur gurëthemelet për ndërtimin e dy urave të reja anësore në të dy skajet e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
“Ura është tejkalim, është tejkalim i lumit, nuk mund të kemi tejkalim të urës sepse shpeshherë ka pasur sugjerime që ‘mjaftojnë urat e tjera’. Nuk mund t’i bëjmë urën urës, ura ja bën urën lumit Ibër për të mirën e qytetarëve dhe për këtë insistojmë ne”, kishte deklaruar kryeministri Kurti për “Zërin e Amerikës” në korrik të vitit 2024.
Qeveria e Kosovës kishte insistuar vitin e kaluar në hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, që aktualisht ndan qytetin e Mitrovicës në bazë të vijave etnike, por kjo iniciativë nuk kishte gjetur përkrahje nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, një vit pas, qeveria kosovare – tashmë në detyrë – ka nisur ndërtimin e dy urave të reja, duke synuar të lehtësojë qarkullimin dhe të nxisë bashkëpunimin mes qytetarëve të Mitrovicës që prej dekadash mbetet i ndarë si rrallëkund tjetër në rajon.
Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore, kreu në detyrë i ekzekutivit ka theksuar se “ne nuk heqim dorë asnjëherë” nga hapja e urës, duke shtuar se hapja e urës së Ibrit varet nga karabinierët italianë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Ndryshe, ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër është planifikuar në bazë të një memorandumi bashkëpunimi midis Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut. aLBANIAN pOST

