Bota
Tarifat e Trump shkaktojnë tension në Bruksel/ A po shqyrton Evropa kundërmasat

Vendimi i Donald Trump për vendosjen e tarifave prej 30% për produktet nga Bashkimi Evropian nga 1 gushti ka shkaktuar tension në Bruksel, pasi edhe vetë Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen e bëri të qartë se do të ketë kundërmasa.
Pesë diplomatë të BE-së konfirmuan se ambasadorët do të mblidhen të dielën për bisedime emergjente, përpara takimit të ministrave të tregtisë së Unionit në Bruksel të hënën. Vlen të përmendet se një raund i parë i tarifave hakmarrëse të BE-së për importe me vlerë 21.5 miliardë euro nga SHBA-ja do të hyjë në fuqi të martën
Në të njëjtën kohë, BE-ja po shqyrton gjithashtu kundërmasa të mëtejshme që mbulojnë rreth 70 miliardë euro në mallra amerikane. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të vendosen tarifa prej 30% për produktet e importuara në SHBA nga Bashkimi Evropian dhe Meksika duke filluar nga 1 gushti.
Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Trump tha se do të rriste tarifat e importit të vendosura për mallrat e shitura në SHBA nga BE në 30%, tre herë më të larta se tarifat fillestare të përgjithshme që ai vendosi.
Përgjigja e dërguar nga Ursula Von der Leyen ishte e qartë, duke theksuar se vendimi i presidentit amerikan do të prishë zinxhirët kryesorë të furnizimit transatlantik. Në të njëjtën kohë, Presidentja e Komisionit theksoi se Bashkimi Evropian është gati të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij, në rast se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me vendosjen e tarifave nga 1 gushti.
“Ne e vërejmë letrën e dërguar nga Presidenti i SHBA-së Trump, e cila përshkruan një normë të rishikuar tarifore dhe një orar të ri. Vendosja e tarifave prej 30% mbi eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët kryesorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve dhe pacientëve në të dy anët e Atlantikut. Pak ekonomi në botë janë aq të hapura dhe të drejta në praktikat tregtare sa Bashkimi Evropian.
BE-ja vazhdimisht i ka dhënë përparësi një zgjidhjeje të negociuar me SHBA-në, duke reflektuar angazhimin tonë për dialog, stabilitet dhe një partneritet konstruktiv transatlantik. Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë marrjen e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme. Ndërkohë, ne vazhdojmë të thellojmë partneritetet tona globale, të bazuara fort në parimet e tregtisë ndërkombëtare të bazuar në rregulla,” thonë diplomatët
Sipas Politicos diplomatët evropianë thonë se ka ende shumë kohë për të shmangur një luftë tregtare në shkallë të plotë.
“Letra mund të duket si një dekret, por të gjithë do t’i kushtojnë vëmendje datës 1 gusht. Nëse do të ishte vërtet një dekret, do të hynte në fuqi nesër. Kjo na jep tre javë për negociata që janë tashmë në një fazë shumë të avancuar”, tha njëri nga diplomatët.

