Kosova
Gjuriç akuzon Osmanin për “manipulim dhe fabrikim” pas deklaratës për ndërhyrjen e Trumpit

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç, ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas deklaratës së saj se ka “informacione të besueshme” se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar një sulm të Serbisë në Kosovë.
“Për fat të keq, manipulimi dhe fabrikimi duken të jenë aktualisht mënyrat e vetme për Osmanin dhe Prishtinën që të marrin vëmendje në Uashington”, ka shkruar Gjuriç në “X” , duke theksuar se Serbia vazhdon të ndjekë “vizionin e paqes” të promovuar nga presidenti Trump përmes Marrëveshjes së Uashingtonit në vitin 2020.
“Për fat të mirë, miqtë tanë amerikanë e dinë të vërtetën. Serbia mbetet e përkushtuar për të avancuar interesant e përbashkëta me SHBA-në – sikurse në Ballkan, ashtu edhe në skenën globale, përfshirë Lindjen e Mesme”, ka pretenduar Gjuriç.
Presidenti Trump ka përmendur Kosovën e Serbinë si shembuj ilustrues të aftësisë së tij për zgjidhjen e konflikteve. Ai ka deklaruar së fundmi se kishte parandaluar një sulm potencial të Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa para kësaj ishte zotuar se do t’i korrigjonte gabimet e paraardhësit i tij, Joe Biden, në procesin e negociatave Kosovë-Serbi.
Ndryshe, deklaratat e fundit të presidentit Trump dhe presidentes Osmani kanë ngjallur reagime, por edhe paqartësi. Ajo që mungon janë detajet konkrete – përfshirë kohën kur, sipas tyre, mund të kishte ndodhur një përshkallëzim i tillë i situatës.

