Connect with us

Kosova

Osmani pret nga Trump “gjëra të mëdha”, jo zgjidhje të shpejta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një bashkëbisedimi në “Hudson Institute” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rëndësinë e lidershipit amerikan për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, ka vlerësuar se Administrata e Donald Trump ka potencial për të bërë gjëra të rëndësishme në raport me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jo gjëra të parëndësishme, jo gjëra të vogla. Po flas për gjëra të mëdha, gjëra që do të kontribuonin vërtet në paqen afatgjatë, jo në zgjidhje të shpejta, por paqe afatgjatë në rajon”, tha ajo.

Në këtë kontekst, duke potencuar se Marrëveshja e Uashingtonit – e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Donald Trump dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të atëhershëm, Avdullah Hoti – është zbatuar, Osmani tha se pret që Shtëpia e Bardhë të shkojë përtej kësaj marrëveshjeje.

“Kemi diskutuar me anëtarë të administratës së re, së pari, potencialin në marrëdhëniet tona ekonomike. Dhe shpesh them se potenciali i një vendi nuk duhet të përcaktohet vetëm nga madhësia. Pra, pavarësisht se Kosova është një vend i vogël, mendoj, besoj se ne kemi disa ide të mira se si kjo marrëdhënie ekonomike mund të ecë përpara”, ka shtuar ajo.

Osmani tha se ky bashkëpunim ekonomik “mund të jetë një shumëzues force” për lidershipin e Amerikës në botë në një kohë kur ekziston “kjo konkurrencë e madhe me Kinën, kur ka industri të caktuara që janë monopol i Kinës”.

“Ne duhet t’i ndihmojmë Shtetet e Bashkuara të rrisin rolin e tyre në ekonominë botërore. Dhe mendoj se kjo mund të bëhet përmes ndihmës së vendeve që janë pro-amerikane”.

Advertisement