Bota
Trump mohon përfshirjen në rastin Epstein: Nëse do të kishin diçka kundër meje, do e kishin publikuar

Donald Trump u pyet për “dosjet famëkeqe Epstein” gjatë një konference për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer. Kur një gazetar e pyeti nëse emri i tij shfaqet në dokumentet në fjalë, Trump foli shumë shkurt.
“Është një farsë, e ekzagjeruar jashtë mase,“- theksoi ai, duke ua atribuar trajtimin e çështjes njerëzve që i quajti “llumi më i keq në tokë”. Midis atyre që ai akuzoi me emër ishte ish-Presidenti Joe Biden. Trump u përpoq të distancohej plotësisht nga Epstein, duke pretenduar se kishte ndërprerë të gjitha kontaktet me të për vite me radhë.
“Nuk kam folur me të për vite me radhë. Unë nuk shkova në ishull. E refuzova. Nuk doja të shkoja,“- theksoi ai, madje duke sqaruar se kishte refuzuar një ftesë.
Së fundmi, ai këmbënguli se nëse do të kishte diçka inkriminuese rreth tij, kjo do të ishte bërë publike gjatë kandidimit të tij për president.
“Nëse do të kishin diçka rreth meje, do ta kishin publikuar kur unë kandidoja për president,”- tha ai, duke u përpjekur të largonte çdo dyshim për përfshirjen e tij.
Kush ishte Jeffrey Epstein ?
Milioneri i njohur për shoqërimin me personazhe të famshëm, politikanë, miliarderë dhe yje akademikë, u arrestua në Palm Beach, Florida, në vitin 2005, pasi u akuzua se i kishte paguar një vajze 14-vjeçare për seks. Dhjetëra vajza të tjera të mitura përshkruan abuzime të ngjashme seksuale. Disa të njohur të famshëm e braktisën Epstein pas dënimit të tij, përfshirë ish-presidentët Bill Clinton dhe Donald Trump, por shumë të tjerë nuk e bënë këtë. Epstein vazhdoi të shoqërohej me të pasurit dhe të famshmit edhe për një dekadë tjetër, shpesh përmes punës filantropike. Ai vrau veten në burg ndërsa priste gjyqin. Prokurori amerikan në Manhattan më pas ndoqi penalisht ish-të dashurën e Epstein, Ghislaine Maxwell, e cila e ndihmonte në rekrutimin e viktimave të tij të mitura. Ajo u dënua në vitin 2021 dhe po vuan një dënim me 20 vjet burg.
Çfarë kanë “Epstein files”?
Dokumentet që po zbulohen janë pjesë e një padie të ngritur kundër Maxwell në vitin 2015 nga një prej viktimave të Epstein, Virginia Giuffre. Ajo është një nga dhjetëra gratë që paditën Epstein duke thënë se ai i kishte abuzuar ato në shtëpitë e tij në Florida, New York, Ishujt Virgjër të SHBA-së dhe New Mexico. Disa të dhëna janë publikuar, qoftë pjesërisht ose të plota, në raste të tjera gjyqësore. Pjesa më e madhe e pjesës tjetër përfshin tema dhe njerëz që janë trajtuar në mënyrë të plotë në artikuj gazetash, dokumentarë televizivë, intervista, libra dhe dëshmi për gati dy dekada në gjyqin penal të Maxwell.

