Bota
Irani dëbon 1.5 milion afganë: Akuza për spiunazh dhe trajtime çnjerëzore

“Na rrihnin me tuba uji, me dërrasa dhe me shkopinj plastike. Na trajtonin si kafshë,” tha ai për BBC-në këtë muaj, pak para se të kalonte kufirin për t’u rikthyer në Afganistan.Prej muajsh, Irani ka përshpejtuar dëbimin e qytetarëve afganë pa dokumente, që sipas autoriteteve iraniane janë më shumë se katër milionë. Në mars, afganëve pa dokumente u ishte dhënë një afat deri në korrik për të larguar vullnetarisht, por pas konfliktit të shkurtër me Izraelin në qershor, autoritetet iraniane kanë dëbuar me forcë qindra mijëra afganë, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare.Sipas Kombeve të Bashkuara, në fillim të korrikut u regjistrua një kulmim i dëbimeve me rreth 50,000 kthime në ditë – shumë prej tyre pas udhëtimeve të lodhshme dhe të rrezikshme.Ali Ahmadi rrëfen se autoritetet iraniane ia morën të gjitha paratë dhe telefonin, duke e lënë pa asnjë qindarkë për t’u kthyer në Afganistan. Ai kishte jetuar në Iran për dy vjet e gjysmë.
Akuza për spiunazh dhe përndjekje
Fushata e dëbimeve është shoqëruar me akuza në rritje ndaj qytetarëve afganë për bashkëpunim me shërbimet sekrete izraelite. Mediat iraniane, duke cituar burime policore, kanë pretenduar arrestime të afganëve për spiunazh.“Jemi të frikësuar të dalim nga shtëpia. Mjafton një dyshim dhe të etiketojnë si spiun,” tha për BBC-në një afgan që kërkoi të mbetet anonim.Akuza si “Jeni spiunë”, “Punoni për Izraelin” apo “Ndërtoni dronë në shtëpitë tuaja” janë bërë të zakonshme.Eksperti për Afganistanin, Barnett Rubin, ish-këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit, thotë se regjimi iranian po kërkon “kokë turku” për dështimet e veta në përballjen me Izraelin. “Siguria e Iranit u tregua e depërtuar thellë nga inteligjenca izraelite – dhe kjo është turpëruese për regjimin,” thotë ai.Disa kritikë shtojnë se pretendimet për spiunazh synojnë të justifikojnë dëbimet masive të afganëve pa dokumente.BBC ka kërkuar një reagim nga qeveria iraniane, por nuk ka marrë përgjigje. Megjithatë, më 18 korrik, agjencia shtetërore IRNA deklaroi se “kthimi i refugjatëve afganë në mënyrë paqësore dhe me respekt për të drejtat e njeriut… është një synim i ndjekur në të gjitha nivelet”.
“Katër ditë ndalim si katër vjet torturë”
Abdullah Rezai, një tjetër afgan që rrëfeu për BBC-në në Islam Qala, tha se gjatë ndalimit u rrah brutalisht nga rreth 15 oficerë iranianë.
“Ma grisën pasaportën dhe vizën dhe më akuzuan se isha spiun,” tha ai, duke shtuar se kishte vetëm dy muaj në Iran dhe një vizë të vlefshme.“Na rrihnin me shkopinj plastikë dhe bërtisnin: ‘Jeni spiunë, po na shkatërroni vendin!’”. Katër ditët e ndalimit, thotë ai, i përjetoi si “katër vjet ferr”.Akuza për bashkëpunim me Izraelin filluan të qarkullojnë në rrjetet sociale që në fillim të luftës. Më 13 qershor, pas një sulmi izraelit mbi objektiva bërthamore dhe ushtarake iraniane, qeveria iraniane iu kërkoi qytetarëve të denonconin lëvizje të dyshimta, përfshirë furgona që mund të transportonin armë të shërbimeve sekrete izraelite.Më pas, kanale të mëdha në Telegram publikuan thirrje për vigjilencë ndaj “të huajve” – një term që shpesh përdoret për të përshkruar afganët – që udhëtonin në qytete të mëdha.
Lajme të rreme dhe video të vjetra u përdorën për të paraqitur afganët si ndërtues dronësh për Izraelin, megjithëse më vonë autoritetet pranuan se arrestimet kishin lidhje vetëm me mungesën e dokumenteve.
Në rrjetin X, hashtag-u “Dëbimi i afganëve është kërkesë kombëtare” u përdor mbi 200,000 herë brenda një muaji.
“Një pakt kombëtar i heshtur”
Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 1.5 milion afganë janë larguar nga Irani që nga janari 2025. Vetëm në një muaj (22 qershor – 22 korrik), mbi 918,000 janë kthyer në Afganistan, sipas autoriteteve talebane.Afganët kanë emigruar drejt Iranit dhe Pakistanit që nga vitet 1970, sidomos gjatë pushtimit sovjetik dhe më pas në vitin 2021, pas rikthimit të talebanëve në pushtet.Ekspertët paralajmërojnë se Afganistani nuk ka kapacitetin për të përballuar këtë fluks të madh të kthyerish, ndërkohë që përballet edhe me dëbime masive nga Pakistani.Sipas Dr. Khadija Abbasi, studiuese në SOAS në Londër, afganët dikur u mirëpritën në Iran, por qëndrimi ndaj tyre ndryshoi me kalimin e kohës, duke u portretizuar si “barrë ekonomike”.Në të kaluarën, një seri krimesh në Teheran iu atribuuan padrejtësisht një afgani, çka nxiti urrejtje të reja. Më vonë doli se autori ishte iranian.Sot, ndjenja anti-afgane në Iran është më e përhapur se kurrë, e nxitur jo vetëm nga rrjetet sociale por edhe nga media shtetërore.Dëbimi i afganëve, sipas Dr. Abbasit, është “ndoshta një nga të vetmet çështje ku shumica e iranianëve pajtohen me qeverinë”. Megjithatë, në korrik, mbi 1,300 aktivistë iranianë dhe afganë nënshkruan një letër të hapur duke dënuar trajtimin “çnjerëzor” të afganëve në Iran.Për shumë afganë, kthimi në vendin e tyre nuk është më një zgjedhje, por domosdoshmëri. Kufiri vazhdon të mbushet çdo ditë me njerëz që ikin.Për Abdullahin, dëbimi ka shkatërruar gjithçka.“Humba gjithçka,” thotë ai.

