Bota
Trump një tjetër nominim për Çmimin Nobel për Paqen, roli i presidentit në zbutjen e tensioneve me Tajlandën

Zëvendëskryeministri i Kamboxhias, Sun Chandol, ka konfirmuar se vendi i tij do të nominojë ish-presidentin amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen, duke theksuar rolin e tij në zgjidhjen e konfliktit kufitar mes Kamboxhias dhe Tajlandës.
Në një deklaratë për mediat, Chandol tha se ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Trump ishte vendimtare për arritjen e armëpushimit të 28 korrikut, pas luftimeve më të rënda mes dy vendeve në më shumë se një dekadë. “E meriton të nominohet për paqe, pasi solli një zgjidhje për një situatë të rrezikshme që mori dhjetëra jetë,” u shpreh ai.
Në konfliktin pesëditor që shpërtheu përgjatë kufirit, humbën jetën të paktën 43 persona, përfshirë civilë, ndërsa rreth 300 mijë banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet zëdhënëses Caroline Leavitt, e konfirmoi rolin e Trump, duke shkruar në platformën X: “Jepini atij Çmimin Nobel për Paqen.”
Kamboxhia nuk është i vetmi vend që ka deklaruar mbështetje për një nominim të tillë. Pakistani, në qershor, dhe Izraeli, në korrik, janë shprehur gjithashtu në favor të Trumpit për këtë çmim, duke vlerësuar përpjekjet e tij në nxitjen e dialogut dhe paqes në rajonet përkatëse.
Krahas ndërmjetësimit në konflikt, Chandol vlerësoi edhe ndikimin e SHBA-së në aspektin ekonomik, duke theksuar mirënjohjen e Kamboxhias për reduktimin e tarifave doganore për eksportet kamboxhiane në SHBA. Ai tha se këto tarifa, që fillimisht kërcënonin të arrinin në 49%, u ulën në 19%, duke shpëtuar industrinë vendase të veshjeve dhe këpucëve.
“E njohim kontributin e tij për paqen dhe zhvillimin ekonomik. Kamboxhia është mirënjohëse”, përfundoi Chandol.

