Aktualitet
Orientimi euroatlantik i Kosovës dhe Shqipërisë përballë aktit balancues të Serbisë

Një raport i institutit “Clingendael” ofron një hartë gjeopolitike interaktive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes së cilës synon të shpjegojë marrëdhëniet ndërmjet aktorëve rajonalë dhe atyre globalë, duke analizuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit, kursin e tyre politik ndaj fuqive globale dhe pasojat potenciale që këto dinamika kanë për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, në bazë të raportit, kanë orientim të qartë euroatlantik dhe mbajnë lidhje të forta bashkëpunimi mes tyre. Serbia, në anën tjetër, vijon të mbajë një pozicion ambig midis orientimit evropian dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën, ndërsa Bosnja e Hercegovina mbetet e brishtë për shkak të fragmentimeve të brendshme dhe ndikimit të jashtëm mbi njësitë përbërëse të saj.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara konsiderohen partnerët kryesorë politikë, ekonomikë dhe të sigurisë, duke luajtur rol kyç në mbështetjen e integrimit euroatlantik, reformave institucionale dhe zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve. Rusia, megjithatë, sipas raportit, shfrytëzon lidhjet tradicionale me Serbinë dhe komunitetin serb në Bosnje e Hercegovinë për të ushtruar ndikim politiko-strategjik.
Kina, gjithashtu, është duke fituar terren nëpërmjet investimeve infrastrukturore, sipas raportit, ndërsa Turqia është duke focuar ndikimin e saj nëpërmjet lidhjeve historike, ekonomike dhe kulturore, posaçërisht në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Shqipëri.
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe konfliktit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në raport është theksuar se Serbia mbështetet fuqishëm nga Rusia dhe Kina në qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosova gëzon mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, një çështje thelbësore, sipas raportit, mbetet mungesa e unitetit përbrenda vetë Bashkimit Evropian, ku shtete sikurse Spanja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ky fragmentim përbrenda BE-së, sipas raportit, dobëson aftësinë e bllokut për të ndërmjetësuar dialogun dhe për të avancuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

