Connect with us

Rajon

Lidhjet e kalbura/ Financial Times: Fundi i shpejtë i Vuçiçit përballë revoltës qytetare

“Pas rreth një dekade në pushtet, udhëheqësit autoritarë me shumë vite në pushtet zakonisht përballen me një udhëkryq: ose rrisin shtypjen, forcojnë rrethin e tyre klientelist dhe shtrydhin çdo mbetje të medias së pavarur, ose i përgjigjen thirrjeve të opozitës për reforma” – Keshtu e nis analizen e saj prestigjozja Financial Times, duke potencuar: –

Autokratët pothuajse gjithmonë zgjedhin rrugën e parë dhe bëhen edhe më të ashpër. Tani, me protestat anti-qeveritare në rrugët e Beogradit, Aleksandar Vuçiç është përballë kësaj zgjedhjeje.

Për tetë vite si president i Serbisë, dhe më parë si kryeministër, ai ka sunduar me një dorë gjithnjë e më ndërhyrëse, por ende udhëheq një “demokraci të mirëmenaxhuar” më shumë sesa një autokraci të plotë.

Vuçiç ka bërë një lojë finoke balancimi edhe në arenën ndërkombëtare.

Ka mbajtur marrëdhënie korrekte me Moskën, pa e acaruar aty ku nuk mban Bashkimin Evropian dhe SHBA-të dhe ka mbyllur sytë ndaj shitjes së armëve serbe për Ukrainën. Nga ana tjetër, ka joshur Pekinin për miliarda dollarë investime në industri dhe infrastrukturë.

Megjithëse Serbia është ende vetëm kandidate për anëtarësim në BE, Vuçiç ka lidhje të ngushta me liderët e bllokut si presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, jo vetëm përmes kartës së litiumit, burimeve të pashfrytëzuara që kompanitë evropiane shpresojnë t’i përdorin për të përshpejtuar pavarësinë energjetike të Europës. Ai gjithashtu ka ndërtuar marrëdhënie me bashkëpunëtorë të ngushtë të Donald Trump gjatë mandatit të parë presidencial të këtij të fundit.

Por brenda vendit, rrugëtimit të tij po i vjen fundi, pasi pakënaqësitë ndaj sundimit të tij të pakontrolluar dhe të paqartë janë shndërruar në protesta. Shkëndija u ndez nga shembja e çatisë së një stacioni treni në Novi Sad në nëntor, ku humbën jetën 16 persona. Opozita fajësoi për këtë katastrofë korrupsionin shtetëror, keqqeverisjen dhe mungesën e kontrollit, të gjitha të konsideruara shenja dalluese të regjimit të Vuçiçit.

 

Advertisement