Connect with us

Politike

A do të hyjë PD në Parlament? Berisha i drejtohet Kryesisë: Të mos lëmë asnjë hapësirë bosh përballë diktaturës

Partia Demokratike zhvilloi sot mbledhjen e parë të Kryesisë, pas zgjedhjeve vendore të 11 majit, një proces që kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi si “farsën më të shëmtuar zgjedhore në 32 vitet e fundit”.

Në një fjalim të drejtpërdrejtë dhe kritik, Berisha u bëri thirrje anëtarëve të Kryesisë të mos e njohin rezultatin e zgjedhjeve, duke argumentuar se pjesëmarrja apo pranimi i tyre do ta bënte Partinë Demokratike “bashkëautore në një mashtrim kombëtar”.

“Unë ftoj Kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje. Njohja e tyre do të na bënte bashkëautore në farsën më të shëmtuar të këtyre 32 viteve,” u shpreh Berisha.

Përtej mosnjohjes së zgjedhjeve, Berisha komentoi edhe diskutimin e brendshëm në PD për pjesëmarrjen ose jo në Parlament, duke u shprehur se opozita nuk duhet të largohet nga asnjë hapësirë institucionale, përballë asaj që ai e konsideroi një diktaturë të konsoliduar nën Edi Ramën.

 

 

“Në këtë diktaturë, ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh. Kërkohet qëndrim, kërkohet strategji për të ndryshuar raportin tonë me regjimin që ka uzurpuar çdo pushtet,” – theksoi kreu demokrat.

Ai pranoi se asnjë nga strukturat e PD-së nuk ka bërë aq sa duhet për të përballuar regjimin aktual, duke theksuar nevojën për një ndryshim të thellë.

Sali Berisha: Unë ftoj Kryesinë që të mos njohim këto zgjedhje. Njohja e këtyre zgjedhjeve do të bënte PD bashkëautore në një farsë më të shëmtuarën në 32 vite. Duke kërkuar këtë nga Kryesia, unë di se ka një debat të marrim pjesë apo jo në Parlament. Ja u them ju personalisht, unë mendoj se në këtë diktaturë ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh. Kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me diktaturën që ka uzurpuar pushtetin. Asnjë nga ne nuk ka bërë sa kemi mundur. Tani kërkohet një ribrand, një ndryshim. Beteja jonë kërkon energji të reja, forca të reja dhe forma të reja.

Advertisement