Shkrime
Një kafe shqeto pas fasadës/ Alarmi Rama ka nisur të bjerë e të dëgjohet përtej oqeanesh

Dhe do të shpërthejnë programet e lajmet euforime për rritje çmimesh pasurish të paluajtshme me afrimin e integrimit, duke ftuar këdo të blejë sot për të shitur nesër më shtrenjtë.
Do citojnë dy rreshta nga qindra në raportet ndërkombëtare, përfshi të fundmin e DASH-it. Mirëpo…
….ky është si ai operacioni i lyerjes së dikurshme të ballinave të pallateve me ngjyra të harlisura e forma abstrakte, ndërsa brenda e pas tyre maskohej mjerimi i jetës, mjedisit, bashkëjetesës, shëndetit dhe sigurisë.
A e ngremë këtë “vello” e të shohim “ç’nuse” e ka bërë Shqipërinë qeveria më jetëgjatë e tranzicionit sipas raportit më të fundit të Departamentit të Shtetit?
Ndriçohuni shqiptarë të mirë mbetur ende këtyre anëve e ju që kokën e keni ende këndej kur këmbët ju çojnë të ndërtoni jetën andej:
Modeli i rritjes ekonomike është i ngushtë veç në ndërtim e turizëm, konkurrenca është zhbërë nga para jo-transparente, pronat mbeten “mina me sahat” dhe PPP-të janë porta kryesore e riskut për kapje të tregut dhe shtetit.
Po le ta shfletojmë me pakëz durim raportin e DASH:
Rritje 4% e shtyrë nga turizmi dhe pasuritë e paluajtshme do të thotë kërkesë për shërbime sezonale dhe investime me produktivitet të ulët. Investimet e Huaja Direkte janë në pasuri të paluajtshme, sigurime, industri nxjerrëse dhe përpunim i lehtë. Pra shumë pak teknologji, pak eksport e fare pak zinxhir vlerash.
Për të arritur BE-në, atë që quhet konvergjencë për t’u afruar me ekonominë europiane nuk duhen beton e metra katrorë, por prodhim dhe eksport. Siç e ka zënë ky biçim vizioni ekonomie po i largohemi gjithnjë e më shpejt atij kushti me degët që ka zgjedhur qeveria si prioritet.
Tituj të mbivendosur, legalizime të pazgjidhura, kompensime të ngadalta. Çdo projekt serioz (industrial, turistik, bujqësor) ngecet tek rreziku i pronës. Kjo frenon cdo kapitali afatgjatë, produktiv, rrit koston e financimit dhe ndez si me benzinë spekulimin për korrupsion.
Prokurimet dhe PPP-të me konkurrencë të shtrembëruar, tendera të mbyllur e paravendosur me monitorim të mangët. PPP-të janë shndërruar fare lehtë në monopol të garantuar me kosto të lartë për publikun dhe me rrezik arbitrazhi.
Të kuptohemi, i thotë DASH këto. Se opozita e ndonjë media a ndoca gazetarë i patën thënë e i thonë, por propaganda i shpërndan si retë e verës me strategët e vet të spinimit, kërcënimit, denigrimit.
Por çfarë thotë tjetër raporti i fundit i DASH, në kohën kur SHBA i ka shpallur luftë e cilësuar terroriste organizatat e trafikut të drogës dhe aktivitetet kriminale që kalbin shtete, ekonomi e cilësi jete?
Ndërtimi dhe tregu i pasurive të paluajtshme përthithin flukse të dyshimta, para të pista, duke sjellë çmime të fryra, konkurrencë të dëmtuar dhe penalizim të investitorit të rregullt në krahasim me kapitalin që nuk pyet për rregulla. Koncentrimi i Investimeve të Huaja Direkte në pasuri të paluajtshme dhe shërbime financiare po shton rrezikun e flluskave financiare.
Mungesa e mekanizmit të filtrimit të Investimeve të Huaja është rrezik madhor sigurie në sektorë kritikë si energjia, të dhënat, infrastruktura, etj.
Drejtësia nuk ndihmon ekonominë.
Vetting-u pastron, por boshllëqet e krijuara në Apel e Administrative kanë prodhuar bllokime e vonesa në zgjidhjet e çështjeve, zvarritje mosmarrëveshjesh, rritje penalitetesh. Pa gjykim të shpejtë e të drejtë klima e investimeve të mbyt pavarësisht ligjeve ekzistente.
Tregu i punës shfaqet në ditë të zymta.
Papunësia zyrtare është e ulët, por mungesat e aftësive janë të larta, veçanërisht në turizëm dhe shërbime. Emigrimi i të rinjve e bën vendin demografikisht të zbrazët dhe i imponon biznesit importin e punëtorëve. Pa arsimim cilësor, profesional dhe ulje të informalitetit, nuk krijohet bazë për industri eksportuese.
Leku, që rezulton monedhë e fortë ul presionin inflacionist, por dëmton eksportet dhe industrinë përpunuese. Një monedhë e fortë që nuk buron nga produktiviteti, konkurenca, teknologjia, energjia dhe logjistika po rrezikon de-industrializimin e ekonomisë.
Hapja e kapitujve të integrimit është arritje, në letër, si me thënë treni erdhi në stacion. Por kur niset sërish, me sa pasagjerë, me sa karburant, me çfarë shpejtësie dhe çfarë sigurie ta thonë veç rezultatet: luftë reale ndaj korrupsionit të lartë, prokurime të hapura, zgjidhje të çështjes së pronave, drejtësi funksionale. Asnjë nga këto nuk të bën t’i thuash trenit “udhë të mbarë”.
Edhe merr përsipër raporti të sugjerojë moratorium për PPP-të jo emergjente, rishikim të pavarur të të gjitha PPP-ve ekzistuese me publikim të qartë të kosto-përfitimeve dhe rishpërndarje risku. Zgjidhje të çështjes së pronave sidomos në zonat bregdetare dhe korridoret industriale. Kufij të rreptë për burimin e financimeve, parasë në qarkullim, sanksione të forta për ndëmjetësit. Zëvendësim të Ligjit të Investimeve Strategjike me Ligj të përgjithshëm të investimeve me kritere unike e të hapura, zero trajtim preferencial. Transparencë prokurimesh e koncesionesh.
Mbyllje urgjente të portave të parave të pista në ndërtim.
Ekonomi reale, eksport e prodhim.
Pra, për të kthjelluar veten, kur të dëgjoni për stabilitetin makro e keni të qartë se është retorikë e verdhene që nuk bind më. Cilësia e shtetit, pronat e pastra, prokurimet e hapura, drejtësia e shpejtë, lufta ndaj korrupsionit, ndalja e parasë kriminale në ndërtim janë themeli i vetëm mbi të cilin mund të ngrihet konvergjenca me BE-në dhe rritja ekonomike me cilësi jete. Troç për të parë një ditë të bardhë shqiptarët në vendin e tyre të bekuar.
Raporti i DASH e thotë shqeto se pas fasadës së stabilitetit, Shqipëria fsheh mizerjen e një antimodeli ekonomik të ngritur mbi korrupsion e para të pista.
Pas ballinës së lyer me ngjyra të harlisura e forma abstrakte kutërbon kalbësira e një antimodeli ekonomik. Dhe kur muret brenda kalben, asnjë lobim nuk e mban më në këmbë fasadën. Ajo bie, duke ekspozuar jo vetëm mizerjen e brendshme, por edhe rrezikun që të shpërndahet përtej kufijve. Ky alarm ka nisur të bjerë e të dëgjohet përtej oqeanesh.

