Kronike
Vrasja misterioze/ I jepet lamtumira e fundit Edoardo Sarchit, partnerja shqiptare, miq e kolegë në ceremoni!

Italianit të vrarë mesnatën e së premtes në fshatin Salari të Tepelenës, Edoardo Sarchit iu dha lamtumira e fundit të dielën në varrezat e Tufinës në Tiranë nga familjarët e ngushtë, bashkëshortja shqiptare, me të cilën kanë 2 fëmijë, kolegët e punës dhe miq nga Italia.
Edoardo Sarchi, me origjinë nga Varese, prej 20 vitesh kishte nisur jetën në Shqipëri, jo vetëm si sipërmarrës duke administruar kompaninë e themeluar nga xhaxhai i tij Augusto Nidoli, por këtu krijoi edhe familje duke u martuar me një shqiptare nga Fushë-Kruja.
Rreth 150 persona morën pjesë në ceremoninë mortore. Bashkëshortja, Majilnda Taga, familja e saj nga Fushë-Kruja, kolektivi i punës në “Tegola Edilcentro”, e përcollën për në banesën e fundit.
Vdekja e tij nga një plumb i vetëm në këmbë i shtënë nga një armë zjarri, jo çifte, siç rezultoi nga autopsia, ka lënë pas tek familjarët e tij në Itali, tronditje dhe mosbesim tek autoritetet që ende nuk kanë zbuluar se çfarë i ndodhi të afërmit të tyre.
Riccardo Barbieri, kushëri i Sarchit, pronar i një bed & breakfast-i në zonën e Vareses, ngre dyshime se ka ndodhur një grindje me familjen Braçi, Eqeremin dhe 2 djemtë e tij.
Motra e tij në Itali, siç kushëri tregon për mediat në shtetin fqinj, thotë se nuk mundi të mbërrijë në kohë në Shqipëri, të paktën për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Tre vite më parë, Sarchi kishte humbur babanë.
Një kurorë me lule në banesën e tij të fundit në Tufinë, është lënë edhe nga një familje italiane. Në Shqipëri, Sarchi kishte rrugëtuar bashkë me kushërinjtë me të cilët nisi të punonte 20 vite më parë. Stafi që punoi për vite me të në Tiranë, e përshkruajnë një njeri të qetë e të sjellshëm.

