Connect with us

Bota

Presidenti Zelensky paralajmëron Evropën: Po nuk e ndihmuat Ukrainën, do ta paguani me gjak

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se mungesa e mbështetjes financiare për Ukrainën rrit ndjeshëm rrezikun e përhapjes së luftës në Evropë, duke theksuar se kontinenti do të paguajë një çmim shumë më të lartë nëse ndihma për Kievin reduktohet.
Gjatë një konference për shtyp pas pjesëmarrjes në mbledhjen e Këshillit Evropian në Bruksel, Zelensky iu përgjigj një pyetjeje të një gazetari polak, duke mbështetur publikisht qëndrimin e kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, se kërcënimi ushtarak ndaj Evropës do të rritet nëse Ukraina lihet pa mbështetje.
“Nëse nuk e mbështesni Ukrainën dhe e lini vetëm, Ukraina mund të mos ia dalë. Atëherë Evropa nuk do të paguajë më me para, por me gjak”, theksoi presidenti ukrainas.
Zelensky paralajmëroi se çdo vonesë apo ndërprerje e ndihmës financiare do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në front, veçanërisht në prodhimin e dronëve, një element kyç i luftës aktuale.
“Nëse Ukraina nuk merr një këst financiar në pranverë, prodhimi i dronëve do të ulet shumëfish”, tha ai, duke shtuar se në këtë rast do të prishej baraspesha aktuale e kapaciteteve të dronëve mes Ukrainës dhe Rusisë, një ekuilibër që sipas tij u diskutua edhe në këtë mbledhje të Këshillit Evropian.

Advertisement