Politike
Analisti: Qesharake kërkesa e opozitës për qeverisje teknike, u provua në 2017 dhe nuk solli rezultate
Analisti politik Adri Nurellari e cilësoi qesharake kërkesën e opozitës për një qeverisje teknike, duke theksuar se një model i tillë është provuar më parë në 2017 dhe nuk ka sjellë rezultate konkrete.
Nurellari u shpreh se protestat e opozitës janë plotësisht legjitime, por shtoi se nuk po shihet asnjë risi në qasjen opozitare. Sipas analistit, opozita po rikthehet te të njëjtat teza dhe veprime që janë ndjekur më herët.
“Nuk ka asgjë të keqe në kërkesën për zgjedhjet e parakohshme. Mandati është i qytetarëve dhe është shumë legjitime që të kërkohen pas skandaleve. Ky është objektivi i çdo opozite në çdo vend: t’ia shkurtojë jetën qeverisë. Ajo që është qesharake është kërkesa për qeverisje teknike, sepse është një eksperiment i stërprovuar dhe e pamë në vitin 2017 që nuk solli ndonjë ndryshim domethënës dhe nuk është se e parandaloi apo e pengoi qeverinë të përdorte instrumentet e pushtetit.
Kjo është e drejta e opozitës për të bërë protesta. Kjo është një lloj përpjekjeje për t’u kthyer në të njëjtat teza, propozime dhe veprime që i kemi parë si tani me Berishën, ashtu edhe në vitin 2017 me Bashën. Ku është ndryshimi? Kam përshtypjen që nga opozita, sidomos në kushtet kur njerëzit janë të dorëzuar, ajo duhet të bëjë disa ndryshime rrënjësore me veten, për të treguar se është e aftë të ndryshojë veten dhe pastaj Shqipërinë”, tha analisti.
Në lidhje me lëvizjen e Ervin Salianjit, Nurellari u shpreh skeptik për ndikimin e saj brenda PD-së, duke e konsideruar të vonuar.
“E shoh të vështirë dhe të vonuar që ai të marrë ndonjë drejtim brenda PD-së. Tani që ka ngelur pa një mbështetje të rëndësishme brenda partisë, mendoj se i përmend këto çështje jo se nuk ka të drejtë t’i përmendë, por pse nuk i ka shprehur më herët këto shqetësime? Që të fitojë popullaritet, duhet të ketë më shumë sinqeritet aty, pasi këto probleme kanë ekzistuar më herët. Kur të bie halli vetë, atëherë befas kupton që PD ka probleme. PD ka 20 vite realisht me këto probleme”, tha ai.
Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë, Nurellari tha se kryeministri Albin Kurti e ka zvarritur qëllimisht procesin e formimit të qeverisë për të shkuar drejt zgjedhjeve më 28 dhjetor, një datë që sipas tij ishte elektoralisht e favorshme. Ai theksoi se mbështetja e Kurtit nga votuesit brenda Kosovës ka qenë në rënie, ndërsa votat e diasporës kanë pasur peshë më të madhe.
“Kurti e ka zvarritur procesin e formimit të qeverisë qëllimisht, në mënyrë që të mund të organizoheshin zgjedhjet më 28 dhjetor, një datë shumë e volitshme për të. Arsyeja ishte se Kurti, në rezultatet e para të zgjedhjeve, e pa qartë se votat e banorëve të Kosovës ishin në rënie, për shkak të nivelit të lartë të zhgënjimit. Votat e banorëve të Kosovës ishin diku rreth 40%, ndërsa ato të diasporës rreth 60%. Kurti, së bashku me bashkëpunëtorë që në një farë mënyre kanë funksionuar si noterë të tij, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, siguruan që zgjedhjet të mbaheshin më 28 dhjetor, kur emigrantët kthehen në vendlindje për festat”, tha analisti.
Sipas analistit, Kurti ka mundësinë të formojë qeverinë, por sfida kryesore mbetet zgjedhja e presidentit, e cila kërkon një shumicë të cilësuar prej dy të tretash në Kuvend. Në mungesë të mbështetjes nga partitë e tjera shqiptare, ky proces pritet të jetë sfida e radhës për qeverinë e re.
“Kurti ka mundësinë vetë për të krijuar qeverinë, por ka një sfidë të madhe, që është zgjedhja e presidentit. Nuk është më sfidë vetëm krijimi i qeverisë me 61 deputetë, por sigurimi i votave me dy të tretat për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk ka mbështetje nga partitë e tjera shqiptare për të dhënë votat, Kurti e ka të vështirë ta zgjedhë dhe kjo është sfida e radhës”, tha Nurellari.