Bota
E mesmja e artë/ Erdogan i propozon Trumpit telekonferencë me Iranin për të ulur tensionet
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka propozuar Presidentit amerikan Donald Trump zhvillimin e një telekonference me Iranin, në përpjekje për të ulur tensionet dhe për të shmangur një përshkallëzim ushtarak në rajon, bëjnë të ditur burime për Middle East Eye.
Propozimi erdhi gjatë një bisede telefonike mes Erdogan dhe Trump ditën e hënë, ku presidenti turk i kërkoi homologut të tij amerikan të vendosë diplomacinë në plan të parë dhe ofroi Turqinë si ndërmjetëse mes Washingtonit dhe Teheranit. Sipas një zyrtari turk, Trump ka shprehur gatishmëri për një bisedë telefonike me Iranin, por Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare.
Burime në Ankara besojnë se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili ndodhet këtë javë në Stamboll, mund të përcjellë përgjigjen e Teheranit ndaj kësaj iniciative. Araghchi pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan të premten.
Megjithatë, zyrtarët paralajmërojnë se nuk ka garanci që kjo nismë diplomatike do të shmangë veprime ushtarake, në një kohë kur Presidenti Trump ka kërcënuar hapur me goditje ushtarake ndaj Iranit në ditët në vijim.
Turqia ka bërë edhe më parë përpjekje të ngjashme për ndërmjetësim. Gjatë luftës 12-ditore në qershor, Ankara i kishte ofruar Iranit një kanal diplomatik, por Teherani e refuzoi, duke shprehur pakënaqësi. Autoritetet turke kanë deklaruar vazhdimisht se kundërshtojnë çdo ndërhyrje të huaj ushtarake në Iran.
Të mërkurën, ministri i Jashtëm Hakan Fidan tha se SHBA-të dhe Irani duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet “dosje pas dosjeje”, duke theksuar se diplomacia është e vetmja rrugë e qëndrueshme.
Ndërkohë, qëndrimi i Washingtonit ndaj Iranit mbetet i ndikuar ndjeshëm nga Izraeli, me Kryeministrin Benjamin Netanyahu që kërkon t’i japë fund asaj që e cilëson si kërcënim nga programi bërthamor dhe raketor iranian.
Presidenti Trump paralajmëroi të mërkurën se një “armatë masive” po i afrohet Iranit dhe se do të godasë me “shpejtësi dhe dhunë” nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje. Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump tha se sulmi i ardhshëm do të ishte “shumë më i rëndë” se operacionet e mëparshme dhe se “koha po mbaron” për Iranin.
Sipas Middle East Eye, administrata Trump po shqyrton gjithashtu goditje precize ndaj zyrtarëve të lartë iranianë, të cilët i konsideron përgjegjës për shtypjen e protestave antiqeveritare të javëve të fundit.