✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

U godit nga uji i autobotit/ Gruaja e 34-vjeçarit: Brikeni po lufton me jetën…

Marjonela Krosi, bashkëshortja e 34-vjeçarit Briken Tuci, i cili u godit nga uji i hedhur prej një autoboti gjatë protestës së djeshme, ka bërë një apel prekës për solidaritet dhe drejtësi.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ajo ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e bashkëshortit të saj është kritike. Marjonela ndodhet pranë tij në Spitalin e Traumës, ku ka marrë informacion nga mjekët mbi rezultatet e ekzaminimeve të kryera.

Sipas asaj që bashkëshortja ka bërë publike, neurokirurgu e ka informuar se në trurin e 34-vjeçarit janë konstatuar disa vatra hemorragjie, ndërsa gjendja e tij paraqet rrezik për jetën. Për momentin, sipas saj, nuk mund të kryhet ndërhyrje kirurgjikale.

Në këto momente të vështira, Marjonela u është drejtuar qytetarëve me një thirrje për mbështetje, duke kërkuar që bashkëshorti i saj të mos mbetet vetëm në këtë betejë.

“Brikeni po lufton me jetën dhe unë ndihem e vetme përballë kësaj situate. Kërkoj vetëm drejtësi, asgjë më shumë. Ju lutem, mos më lini vetëm në këtë luftë. Mos e lini Brikenin vetëm!”, shprehet ajo në mesazhin e saj.

Bashkëshortja thekson se familja ka ndërtuar gjithçka me punë dhe përkushtim, ndërsa sot kërkon solidaritetin e shqiptarëve për të përballuar këtë situatë të rëndë.

Ndërkohë, 34-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.

Advertisement