Politike
“Ja fut kot!”/ Rama përplaset me gazetaren për energjinë: Askush s’ka shkuar në burg për dritat
Kryeministri Edi Rama është përplasur me një gazetare gjatë konferencës së sotme për mediat, pas një pyetjeje lidhur me atë që u cilësua si përdorim i standardeve të dyfishta në raport me ndëshkimet penale.
Gazetarja i kujtoi Ramës deklaratat e mëparshme për ndëshkime ndaj qytetarëve që nuk paguajnë energjinë elektrike apo që ndërtojnë pa leje, duke e pyetur pse në rastin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin, ai ishte shprehur kundër burgut dhe kishte përmendur standardet e Bashkimit Europian.
Në përgjigje, Rama mohoi se ka deklaruar ndonjëherë se qytetarët shkojnë në burg për mospagesë të energjisë elektrike, duke theksuar se ndëshkimi penal lidhet vetëm me vjedhjen e energjisë.
“Jetojmë në një kohë kur gënjeshtra duke u përsëritur bëhet e vërtetë. Unë nuk kam thënë kurrë burg për ata që nuk paguajnë dritat dhe askush në historinë e këtij vendi nuk ka shkuar në burg për këtë. Unë kam thënë burg për ata që vjedhin dritat”, deklaroi kryeministri.
Gjatë konferencës, debati mes tij dhe gazetares u tensionua, me Ramën që e ndërpreu dhe i kërkoi të mos e kthente konferencën në debat
“Këtu nuk është për miting, këtu ka pyetje dhe përgjigje, jo debat. Gjëja që ti më kërkon është të jap përgjigjen që do ti”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se në Shqipëri nuk ekziston asnjë dispozitë në Kodin Penal që parashikon burg për mospagesën e energjisë elektrike, ndërsa sqaroi se rastet e ndërtimit pa leje janë të sanksionuara me ligj dhe mund të ndëshkohen edhe me heqje lirie.
Sipas kryeministrit, ndërtimi pa leje konsiderohet vepër penale në flagrancë dhe është një shkelje e parashikuar qartë në Kodin Penal, ndryshe nga pretendimet për burgosje për mospagesë të faturave të energjisë.
Pyetja: Keni deklaruar se ka burg për ata që nuk paguajnë energjinë elektrike, ata që ndërtojnë pa leje etj. Pse në rastin e Belinda Ballukut i thatë jo burgut dhe u kujtuat për standardet që referon BE dhe pse mbahet ky standard i dyfishtë?
Rama: Tani, nëse do më gjeni një herë se jetojmë në një kohë kur gënjeshtra duke u përsëritur bëhet e vërtetë. Unë nuk kam thënë kurrë burg për ata që nuk paguajnë dritat dhe askush kurrë në historinë e këtij vendi nuk ka shkuar burg për këta. Unë kam thënë burg për ata që vjedin dritat. Dritat duhet të priten si në cdo vend të botës dhe kjo ka ndodhur.
(Përplaset me gazetaren) Rama: Unë besoj që kur jemi në kushtet që mitingu zhvillohet rregullisht këtu poshtë, shko atje poshtë. Këtu nuk është për miting, këtu ka pyetje dhe përgjigje, jo debat. Gjëja që ti më kërkon është të jap përgjigjen që do ti. Unë pres me qetësi të mbarojë pyetja jote e gjatë unë kërkoj të coj deri në fund nëse Qimi ma jep lejen. Nëse Qimi nuk ma jep lejen, atëherë unë jam shumë i keqardhur. Nuk bëj asnjë sulm personal. Pse emri është sulm personal? Jo Çimi, Qimi. Është një tjetër. Unë do merrem me gjithçka që më vjen të merrem se jam aq i lirë sa të gjithë ju që të thoni gjënë që doni. Unë dua fjalën këtu. Unë dua fjalën dhe të jesh e sigurt që do kuptosh në fund që ja fut kot. Pastaj e gjykojnë njerëzit. Si mund t’i kërkohet dikujt të japë përgjigjen që do ti. Në Shqipëri nuk ka hyrë kurrë në burg një person pse nuk ka paguar dritat. Në burg nuk shkon për diçka që nuk shkruhet në Kodin Penal, nuk ka Kodi Penal normë ku të thuhet mospagesa e dritave të con në burg. Nuk ka ndodhur. Kanë hyrë në burg persona që kanë vjedhur dritat.
Mospagesat kanë çuar në prerjen e dritave që nuk priteshin kurrë më parë. Por jo burg. Ndërtimi pa leje është i sanksionuar në kodin penal dhe është një vepër penale që ndëshkohet sipas shkallëve, pro edhe me heqjen e lirisë, patjetër. Është vepër në flagrancë, është fizikisht e kapshme, e prekshme, nuk është diçka që e thotë një televizor apo një tjetër që është ose nuk është.