Connect with us

Politike

Kërkoi lirinë, Apeli i GJKKO-së rrëzon sërish kërkesën e Ilir Metës

Apeli i GJKKO ka rrëzuar sërish kërkesën e Ilir Metës për një masë më të lehtë sigurie.

Ilir Meta mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.

Ndërkohë, më 27 prill, në Gjykata e Posaçme pritet të nisë edhe seanca e parë në themel ndaj ish-presidentit.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 04.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 120 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit I.M: “Ankim kundër vendimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg, në një masë tjetër: arrest në shtëpi, garanci pasurore, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ose ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe vendosi: – Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Kujtim Cakrani, ndaj disponimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Ky vendim t’i njoftohet palëve. – Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë. Tiranë, më 04.05.2026”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Advertisement